E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedezët, 1,5 milionë euro për tregjet inekzistente

01/05/2009  Projekti që 7 vjet më parë. Nuk dihet ku përfunduan paratë, në vend të tyre kafene

KORÇE- Që qeveria suedeze po binte në “kthetrat e mashtrimit” të qeverisë socialiste shumë njerëz të mençur e kuptuan që në vitin 2002, pikërisht në atë kohë kur kjo qeveri hodhi si investim 1.5 milionë euro për ndërtimin e tre tregjeve bujqësor, me synimin grumbullimin e të gjitha prodhimeve bujqësore në gjithë fushën e Korçës, por edhe në atë të Devollit. Madje jo vetëm kaq, tre tregjet, që do të kishin të gjitha parametrat bashkëkohore, do të kishin mundësi të thithnin edhe të gjitha prodhimet bujqësore që mund të vinin nga dy rrethet e tjera, nga Kolonja dhe Pogradeci.

Tregjet 1,5 milionëshe

Sot, kur që nga ajo ditë kanë kaluar plot 7 vjet, ata që dyshuan jo vetëm kanë patur të drejtë, por në të njëjtën kohë vërtetuan atë çka përflitej: Qeveria socialiste po mashtronte Qeverinë suedeze. Tashmë i çuditshëm mbetet vetëm fakti se, përse Prokuroria hesht? Por kaq enigmatike mbetet edhe heshtja e Qeverisë suedeze, e cila ende nuk ka kërkuar të dijë nëse fondet e saj shkuan ose jo në destinacionin, për të cilin ajo i kishte akorduar fondet e saj. Tashmë në rajonin e Korçës ngrihen tre tregje: njëri nga fshatin Pirg, tjetri në fshatin Pojan dhe i treti në qytetin e Bilisht. Cila është e vërteta? Vërtet u ngritën tre tregje që do të grumbullonin të gjitha prodhimet e fshatarëve, me qëllim që ata të mos i hidhnin ato në lumë apo në përrua, në mungesë të tregut të shitjes, por mbetet po kaq i vërtetë fakti se këto tre tregje nuk u vunë asnjë ditë në funksionim. Pyetja që lind është, për kë investoi Qeveria suedeze 1.5 milionë euro?! Që nga dita e parë e vënies në zbatim të projekteve të sipërcituar (për ngritja e tre tregjeve) gjithçka nisi në parregullsi të plotë ligjore, pa patur një marrëveshje të plotë me pronarët e trojeve. Nisur nga informacionet që kemi marrë për këtë çështje pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, rezulton se duke mos patur një kontratë të plotë dhe ligjore, konflikti mes pronarëve të trojeve dhe drejtueseve të komunave as është zgjidhur dhe as do të zgjidhet ndonjëherë. Për këtë arsye, këto tre tregje, të ngritura që nga viti 2002, as nuk janë hipotekuar ndonjëherë dhe as shihet ndonjë dritë shprese se mund të hipotekohen ndonjëherë. Tashmë tre tregjet qëndrojnë në këmbë, por nuk janë më tregje për grumbullimin e prodhimeve të fermerëve, ato kanë ndryshuar destinacion, madje janë kthyer në kafene.

Ia dha një të njohuri të tij, nuk kishte dijeni

Nis drogë për në Durrës, e kishte fshehur në xhup

SHKODER- Drejtoria e Policisë së qarkut të Shkodrës bën të ditur se në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Kushtrim K., 21 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Ndoc Mazi”, Shkodër. Të njëjtat burime zyrtare sqarojnë se, arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi shërbimet e Seksionit të Luftës Kundër Narkotikeve, kishin marrë informacion se ky shtetas posedonte një sasi të vogël lënde narkotike. Pas këtij informacioni efektivat e antidrogës u vunë në lëvizje dhe në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur, tek stacioni i autobusëve të linjës Shkodër-Durrës, ky shtetas u kap në flagrancë. Shtetasi Kushtrim K. i kishte kërkuar si favor një shtetasi, që do udhëtonte me atë linjë autobusi, duke i dhënë një xhakovente, për t’ia dërguar një shoku në Durrës. Brenda saj kishte një qese plastmasi me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike, me peshë 12 gram. Nga hetimet e kryera nga ana e policisë u vërtetua, se shtetasi, i cili kishte marrë xhakoventën për ta dërguar në Durrës nuk ishte në dijeni të qeses së gjetur në këtë veshje. Më pas shtetasi i ndaluar është marrë në pyetje nga blutë e Shkodrës për të saktësuar se ku e kishte marrë drogën i riu dhe nëse ishte pjesë e ndonjë rrjeti trafiku narkotikësh. Ndërkohë pas marrjes në pyetje është lënë i lirë dhe shtetasi, i cili po transportonte për në Durrës xhupin në të cilin fshihej droga. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›