E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia ia fal një ‘stadium’ Kosovës

Shumë shpejt pritet që Kosova të bëhet me një stadium, i cili do t’i plotësojë të gjitha kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Kjo pasi Federata suedeze ka vendosur që para se ta rrënojë stadiumin historik të saj ‘Rasunda’, komplet infrastrukturën e kësaj arene t’ia dhurojë Federatës së Kosovës. Kjo e fundit ende është e pavendosur se cilit stadium kosovar t’ia lë këtë ‘dhuratë’.

Kosova shumë shpejt pritet të bëhet me një stadium, i cili do t’i plotësoj të gjitha kriteret e FIFA-s e UEFA-s për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Në fakt, foleja e Kombëtares së Suedisë, stadiumi ‘Rasunda’ shumë shpejt do të zhvendoset në vendin tonë.

Kjo pasi Federata e Futbollit e Suedisë (FFS) ka vendosur që gjithë infrastrukturën përcjellëse të këtij stadiumi t’ia jap si dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), sepse ‘Rasunda’, i cili gjendet në Stockholm, prej 10 nëntorit e deri më 10 dhjetor do të rrënohet në tërësi, derisa reprezentacioni suedez do të transferohet në një stadium të ri të ndërtuar në Solna.

Më 15 gusht, në stadiumin e ndërtuar në vitin 1937 do të zhvillohet një ndeshje lamtumirës mes Suedisë e Brazilit, në të cilin eveniment FFS-ja ka ftuar shumë mysafirë, përfshirë edhe krerët e FFK-së, të cilëve më pas edhe zyrtarisht do t’ua dhuroj gjithë infrastrukturën përcjellëse të kësaj arene.

Këtë e ka bërë të ditur selektori i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Suedi, dhe ishte njëri prej më meritorëve që FFS-ja vendosi që këtë dhuratë t’ia bëjë Kosovës.

“Komplet stadiumi historik i Suedisë do t’i dhurohet FFK-së. Pra, 37 mijë e 284 ulëse të kualitetit shumë të mirë, e po ashtu edhe ulëset për persona VIP, komplet sistemi i dëgjimit, dhe ai i ndriçimit, me standarde të FIFA-s e UEFA-s, e gjithë rrethoja speciale për sigurinë e publikut, 30 metra tunel lëvizës, 12 kioska për shitjen e biletave të ndeshjeve, katër porta lëvizëse, dhe gjitha pajisjet për sallën e konferencave për media”, deklaroi Bunjaku në një konferencë për media të enjten.

Në anën tjetër, nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi i ka falënderuar nga Prishtina suedezët për këtë dhuratë, vlerën e së cilës ai e konsideroi shumë të lartë për situatën në të cilën gjendet futbolli kosovar. Ai theksoi se transportin e materialit do ta kryej FFK-ja me ndihmën e Ministrisë së Sportit.

Por, ende nuk dihet se në cilin stadium të Kosovës do të vendoset e gjithë kjo infrastrukturë. “Për këtë do të vendos më vonë Komiteti Ekzekutiv i FFK-së”, tha Ademi.

Duhet theksuar se stadiumi i Olimpik i Mitrovicës, ‘Adem Jashari’ dhe ai i Prishtinës konsiderohen më të mirët në vendin tonë. Madje, nuk duhet edhe aq punë e madhe për tu bërë në stadiumin e kryeqytetit për t’i plotësuar kriteret e FIFA-s e UEFA-s, andaj dhurata e suedezëve sipas të gjitha gjasave do t’i dedikohet stadiumit të Trepçës, i cili mbetet më larg përmbushjeve të kritereve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›