E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryetari i Parlamentit suedez, Per Vesterberg, në takimin që pati me kryeministrin shqiptar Sali Berisha e siguroi atë se Suedia mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm vendin tonë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE. Berisha priti në një takim Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri e njohu atë me reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. NATO dhe BE, u shpreh shefi i ekzekutivit, Berisha, janë dy projektet tona madhore, dhe të gjitha përpjekjet tona janë të përqendruara në këto dy projekte. Ai u ndal veçanërisht në reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene të cilat më parë ishin shndërruar në pengesa serioze për procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Gjithashtu, Kryeministri e njohu Kryetarin e Parlamentit të Suedisë me reformat në fushën ekonomike, duke evidentuar faktin se Shqipëria është tashmë vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se investitorët suedezë janë të mirëpritur për të investuar në Shqipëri në fusha të ndryshme si turizmi, energjia dhe minierat. Duke u ndalur në reformat politike, Kryeministri tha se mazhoranca ka bashkëpunuar ngushtë me opozitën për realizimin e Reformës Zgjedhore, ndryshimeve kushtetuese dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Berisha i shprehu Vesterbergut angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit të Suedisë vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. Vesterberg u shpreh se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer dhe u shpreh i befasuar nga zhvillimi i shpejtë gjatë këtyre katër viteve të fundit. Suedia, theksoi Kryetari i Parlamentit të Suedisë, mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE. Gjithashtu, Kryetari i Parlamentit të Suedisë vlerësoi rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.
Të dyja palët shprehën angazhimin e tyre për të intensifikimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

Berisha merr pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve në Uashington

Me ftesë të Komitetit Kongresional, që përbëhet nga 36 senatorë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA dhe nga anëtarët e Kongresit, Vernon J. Ehlers dhe Heath Shuler, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten, do të marrin pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve. Kjo ceremoni do të mbahet ditën e enjte, më 5 shkurt në Uashington D.C. Në këtë mëngjes kombëtar lutjesh marrin pjesë kongresmenë, senatorë, drejtues të Kongresit dhe administratës së presidentit Barak Obama, si dhe liderë dhe të ftuar nga 160 vende të botës. Pjesëmarrësit në këtë ceremoni do t i luten Zotit për të forcuar marrëdhëniet dhe për të çuar më tej frymën e bashkëpunimit dhe shpirtit të miqësisë.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›