E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi i kërkon Versterbergut më shumë investime suedeze në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Kryeparlamentari i Parlamentit të Suedisë, Per Vesterberg, ka pasur një takim edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, duke i shprehur kreut të shtetit shqiptar edhe një herë mbështetjen dhe ndihmesën e pandërprerë në drejtim të realizimit të aspiratës integruese të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Presidenti Topi vlerësoi pozitivisht nivelin në rritje të bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve tona dhe nënvizoi vullnetin për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira, që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Presidenti theksoi se reformat kushtetuese, zgjedhore dhe ato në drejtësi, mbeten faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi faktin se diplomacia parlamentare mbetet fushë e rëndësishme bashkëpunimi, si shumë e rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, dialogu dhe shkëmbimi përvojash të vlefshme. Topi ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, duke kërkuar të inkurajohet nxitja e angazhimit të kompanive dhe të investimeve suedeze në vendin tonë, pasi kuadri i nevojshëm ligjor dhe institucional dhe anëtarësimi i pritshëm i Shqipërisë në NATO, garantojnë sigurinë e veprimtarive dhe tërheqjes së investimeve në Shqipëri. Ai u shpreh po ashtu se do të mirëpriste ndihmesën dhe mbështetjen suedeze në fushën strategjike të energjisë, bashkëpunimin në fushat e turizmit, infrastrukturës, etj. Topi vlerësoi lart mbështetjen e madhe që Suedia i ka dhënë shtetit të ri të Kosovës, duke qenë një ndër shtetet e para që ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur më 4 mars 2008. Nga ana e tij, Vesterberg, shprehu mbështetjen e vendit të tij në forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve duke shprehur admirimin për përparimin e jashtëzakonshëm të shënuar nga vendi ynë gjatë viteve të fundit, duke shtuar se klima e mirë dhe e sigurt në vendin tonë është e favorshme si për rritjen e shkëmbimeve tregtare-ekonomike, ashtu edhe për rritjen e interesit të investitorëve suedezë. Kryeparlamentari suedez theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e parlamentar si për sa i përket shkëmbimit të përvojave, ashtu edhe përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së, kryerjen e suksesshme të reformave kyçe, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe arritjen e përmbushjen e standardeve integruese.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›