Autokritika e Obamës: U ndava nga populli
Pas fitores tronditëse të demokratëve, Presidenti modest kërkon falje
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka pranuar që e ka humbur kontaktin me popullin amerikan, sepse gjatë vitit të mandatit të tij të parë u përfshi së tepërmi me çështjet e politikëbërjes. Pas rezultatit të zgjedhjeve për senatorin e shtetit të Masaçusetsit, që rezultoi në një dështim të madh për demokratët, balanca e pushtetit në Uashington ka ndryshuar dhe tashmë demokratët nuk kanë shumicën absolute në të dyja dhomat e përfaqësuesve për të miratuar ligjet që do të donin dhe kjo do të thotë se demokratët po përpiqen të gjejnë një version më të reduktuar të ligjit të kujdesit shëndetësor, që të pranohet edhe nga republikanët. Kundërshtia ndaj këtij ligji ishte edhe ndër shkaqet kryesore të fitores së republikanëve në Masaçusets. E ndërsa ky rezultat ka tronditur gjithë establishmentin në Uashington, pikërisht në 1-vjetorin e ardhjes në pushtet të Obamës, ky i fundit në një fjalim të mbajtur një ditë më parë theksoi se përfshirja në hartimin e politikave për të ndalur krizat e shumta me të cilat po përballet vendi, ia dobësuan lidhjet me votuesit. “Nëse ka ndonjë gjë për të cilën më vjen keq, është se kemi qenë kaq të zënë për t’u dhënë zgjidhje problemeve të shumta, sa mendoj se kam humbur pak nga sensi i komunikimit me njerëzit, në mënyrë të drejtpërdrejtë”, deklaroi Obama. Presidenti tha se kishte menduar që nëse do t’i përkushtohej vetëm bërjes së politikave të mira, zgjedhësit do ta kishin kuptuar, por ndërkohë kjo shkëputje i kishte bërë ata që të ndiheshin të largët dhe të shkëputur me liderët. “Unë mendoj se ky është një gabim i imi”, tha Obama gjatë një deklarate në shtyp, në përpjekje për të shpjeguar votën e Masaçusetsit, e cila tregon një lloj largimi të elektoratit nga demokratët dhe vetë Obama. Kjo deklaratë ka qenë për nga toni tepër larg euforisë që karakterizoi periudhën parazgjedhore dhe atë të muajve të parë presidencialë të Obamës, si dhe deklaratat e tij për të mbështetur reformën në shëndetësi. Tashmë, detyra e aprovimit të këtij ligji shumë të diskutuar nga ana e demokratëve është bërë edhe më e vështirë me fitoren e fundit nga ana e republikanëve. Obama ka lënë të kuptohej se demokratët nuk do të hiqnin dorë nga reforma, por se do të ishin të gatshëm që në këmbim të aprovimit të ligjit të bënin edhe kompromise me republikanët për sa i përket aprovimit të tij. Sipas analistëve, ka disa pika të ligjit në të cilat Obama mund të vërë dorë, ose të lejojë ndryshime e kompromis me kundërshtarët republikanë, siç është një pikë në lidhje me koston e përgjithshme të reformës, apo me rolin e institucioneve të sigurimit. “Me votën e Masaçusetsit, amerikanët na e bënë të qartë se gabimet tona nuk do të tolerohen”.
#