E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu, ndaj Besës për të larë mëkatet e kampionatit

Nga LEONARD TREBICKA

Kampionët sot do të kërkojnë fitore në Kavajë, për të rritur moralin para ndeshjes të së dielës ndaj Teutës, që vlen akoma më shumë

Skuadra kampione në fuqi e kësaj superlige, Skënderbeu, në 5 javë, ka 6 pikë, çka do të thotë mesatarisht 1.2 pikë për ndeshje. Kuqebardhët, kanë shënuar 4 gola ose 0.8 gola për ndeshje dhe kanë pësuar 3 gola, ndryshe 0.6 gola për ndeshje. 6 pikët e grumbulluara janë si rrjedhojë e 1 fitoreje, 3 barazimeve dhe vetëm 1 humbje.

Një statistikë kjo e fillimit që e rendisin skuadrën juglindore në vendin e 10-të të superligës, një vend që në qoftë se do të ruhej deri në fund, do të thoshte që Skënderbeu do të luante në play-out.

Me të gjitha këto, mund të deklarojmë pa frikë se ky Skënderbe i këtyre 5 javëve të para, nuk ka asnjë lidhje me skuadrën kampione që kanë menduar të ngrenë donatorët e kësaj skuadre. Trajneri çek Stanislav Levi, sot në Kavajë ndaj Besës për Kupën e Shqipërisë, mbush 8 ditë në krye të pankinës korçare dhe në një ndeshje Levi ka arritur të marrë vetëm një pikë në krye të Skënderbeut.

Kupa Sot, për kampionët, është testi i parë i kupës, një test që duket se do të jetë për çekun e pankinës në formën e një paraprove për ndeshjen e fundjavës që Skënderbeu do të luajë për kampionat në stadiumin e kryesueses së kësaj superlige, Teutës. Nga kampi korçar pohojnë se në Kavajë do të kërkohet jo vetëm fitorja, por edhe një lojë e e mirë e kuqebardhëve, për të thyer një herë e mirë tersin e kampionatit që po i ndjek kampionët.

Morali i ekipit nuk është aspak ai që duhet dhe ndoshta një fitore e sotme vërtetë do ta ngrinte gjendjen psikologjike të lojtarëve dhe për këtë Levi dhe ndihmësi i tij Hysi kanë karikuar në maksimum skuadrën e tyre para ndeshjes së sotme me Besën.

Heshtja për mediat ka vijuar edhe ditën e djeshme nga të gjithë korçarët, si nga stafi teknik, por edhe nga ana e futbollistëve, ndërkohë që futbollistët kanë më shumë se një javë që kanë qepur gojën dhe nuk dihet se kur do të flasin sërish për mediat. Ky ishte vendimi që ka marrë stafi teknik, ndërkohë që klubi juglindor akoma nuk ka reaguar në lidhje me atë se kur do të përfundojë kjo heshtje.

Heshtja Futbollistët e Skënderbeut, madje të shumtë, të kontaktuar nga gazeta, kanë deklaruar edhe një herë hapur se kanë frikë që të flasin, pasi nëse iu lexohet prononcimi i tyre në shtyp, do të marrin gjobë dhe më pas do të pezullohen.

Një rregullore vërtetë prej diktatori kjo e Stanislav Levit. Një heshtje që ka shqetësuar të gjithë opinionin futbolldashës korçar, ndërkohë që Levi do që lojtarët të flasin më shumë në fushë dhe ka zgjedhur heshtjen si mënyrën e vetme, që futbollistët e tij të përqëndrohen në stërvitje, por edhe në ndeshjet zyrtare.

Kjo do të thotë që sot në Kavajë do të shikojmë një Skënderbe që ka qepur gojën, por do Zoti, ka shqepur këmbët dhe të gjithë presin atë fitore që do të ishte fitorja e kthesës së madhe, ose e thënë ndryshe, kampionët kërkojnë fitoren për të larë mëkatet e këtij starti të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›