E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukaj: Të kualifikohemi, pastaj Thunin

Sulmuesi i Vllaznisë, Xhevahir Sukaj, nuk dëshiron ta quajë çështje të mbyllur kalimin e turit, teksa kujton se janë ende 90 minuta për të luajtur. Në të njëjtën linjë me sulmuesin janë edhe Belisha e trajneri Josa

Xhevahir Sukaj, njeriu-gol i Vllaznisë në ndeshjen e parë kundër Birkirkara, e vlefshme për Europa Ligë, beson në kualifikimin e shkodranëve, pavarësisht se asgjë nuk është vendosur. Sulmuesi kuqeblu vlerëson skuadrën malteze dhe shprehet se do të preferonte suksesin e skuadrës, më shumë se një tjetër gol të tij. “Të fitojmë njëherë. Të kalojmë turin matematikisht dhe goli është pak pa vlerë, sesa fitorja e ekipit tonë. Duhet një mobilizim maksimal si në ndeshjen e parë, ashtu dhe në atë të kthimit sepse janë një ekip me vlera” - thotë Xhevahir Sukaj, sulmues i Vllaznisë. Të njëjtën ide, me autorin e golit në minutën e dytë të ndeshjes së parë, ka edhe mesfushori Amarildo Belisha. Diga shkodrane para mbrojtjes, nuk sheh asnjë mundësi që kuqeblutë të dështojnë para publikut vendas, por shton se përqendrimi duhet të jetë maksimal. “Kualifikimi në letër nuk arrihet. Ata nuk ishin ekip i keq. Kishin lojtarë cilësorë në përmbajtjen e tyre, por ne do ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen e kthimit. Do të arrijmë pse jo edhe në fitore tjetër në Shkodër” - tha Belisha. Në Loro Boriçi, Vllaznia duhet të ruajë avantazhin e çmuar të golit të vetëm të shënuar në Maltë, ndërsa duhet të bëjë llogaritë me një skuadër që ka përdorim të mirë të topit, dhe, ashtu siç është shprehur edhe tekniku Josa, nëse i lejon kontrollin në mesfushë, mund të krijojë probleme. “Unë mendoj për ndeshjen e ardhshme me ekipin maltez. Më intereson turi i dytë, por duhet të mbarojmë njëherë ndeshjen e kthimit“ - thotë trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa. Kuqeblutë kanë arritur të dalin të fituar nga ndeshja e parë, por për Josën mbetet keqardhja se rezultati mund të ishte siguruar që në transfertë, nëse skuadra do të ishte treguar më efikase, sidomos në kundërsulmet, pas golit të shpejtë në minutën e 2-të. “Nuk do të thotë asgjë për ne që ndeshja përfundoi 1-0. Mund të kishim edhe surpriza të tjera. Gjatë gjithë ndeshjes pati një mungesë serioziteti sepse shënimi i golit në fillim të lojës na liroi më tepër dhe kujtuam se do ta kishim shumë të lehtë. Megjithatë, patëm përballë një skuadër e cila kishte defektet e saj, por një skuadër që dinte të luante në sektorët e mesit të fushës” - theksoi ai. Shkodranët, sipas asaj që bën të ditur Josa, nuk do të bëjnë ndryshime në formacion, për sfidën e kthimit më 7 korrik, edhe pse tekniku ka lënë të hapur mundësinë e ndonjë zëvendësimi, më tepër për të mbajtur të karikuar të gjithë organikën në dispozicion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›