E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukaj pezullohet 4 muaj, gjobitet me 50% të pagës

SHKRUAN: Jeton Selimi 28-11-2011 14:01

Drejtuesit e Vllaznisë kanë vendosur të ndëshkojnë sulmuesin. Në Shkodër dyshohet madje se mes lojtarit dhe drejtuesve të Skënderbeut mund të jetë arritur ndonjë kompromis. Vetë lojtari nuk është prononcuar

“I kisha bazuar skemat tek ai, më prishi planet e lojës,” do të ankohej me të drejtë trajneri i Vllaznisë Rudi Vata pas ndeshjes kundër Skënderbeut, sfidë e cila u mbyll 2-0 në favor të formacinit korçar të drejtuar nga Stanislav Levi. Por, ajo që ra në sy që në fillimin e ndeshjes ishte padyshim mungesa e goleadorit të Vllaznisë Xhevahir Sukajt, arsyeja e mungesës së të cilit nuk dihej. “Më tha se nuk ndjehej mirë, se nuk kishte dëshirë të luante,” do të tregonte Rudi Vata, por një ditë më pas tifozët e Vllaznisë ende nuk dinin se çfarë të thonin, ndërsa në ambientin sportiv shkodran u dyshua edhe për ndonjë kompromis të mundshëm mes Sukajt dhe Skënderbeut. Ndonëse asnjë nuk e deklaron zyrtarisht, fakti se lojtari vendosi të rebelohej pikërisht në sfidën me korçarët për paratë që pretendon (bëhet fjalë për rreth 10 mijë euro), kur mund ta kishte bërë këtë edhe në sfidat kundër Flamurtarit apo Tiranës, ka sjellë jo pak amulli në skuadrën kuqeblu. Megjithatë, në rrugë zyrtare, klubi shkodran vendosi të marrë masa kundër sulmuesit duke e cilësuar braktisjen e ndeshjes si një dëmtim direkt për objektivat sezonalë të Vllaznisë. Ndaj, Këshilli Mbikqyrës i KF Vllaznisë, vendosi ditën e djeshme që të “1. Të penalizojë futbollistin Xhevahir Sukaj në masën 50% të vlerës së kontratës. 2. Të pezullojë për 4 (katër) muaj futbollistin 3. Sukaj të stërvitet pranë ekipit të të rinjve të Vllaznisë.”

Shkëmbi: Titullin e fiton sërish Skënderbeu

Kapiteni i juglindorëve Bledi Shkëmbi e sheh Skënderbeun për herë të dytë kampion. Pas suksesit që ky ekip po përjeton duket se janë krijuar të gjitha kushtet që kjo skuadër të rifitojë vendin e nderit në krye të tabelës së renditjes. Rruga është e gjatë, por vendosmëria për t’ia dalë është e madhe. Shkëmbi ka aritur të shënojë i pari në transfertën me shkodranët, ku Skënderbeu për herë të parë në këtë kampionat ka marë dhe triumfin e parë në transfertë. Senatori tregon emocionet, por dhe sigurinë që tashmë ka fituar ekipi nën drejtimin e trajnerit çek Stanislav Levi, që sipas tij ka sjellë ndryhsimet që i nevojiteshin këtij ekipi. “Kjo fitore ishte një dedikim për të gjithë tifozët e Korçës dhe banorët e qytetit tim me rastin e festave të nëntorit. Dhe mendoj se më mirë se kaq nuk mund të kontribuonim që festat e tyre të bëheshin edhe më të bukura. Na kishin munguar shumë fitoret në transfertë, ndaj kjo erdhi në momentin e duhur. Përsa i përket golit të parë që kam shënuar në Shkodër, sigurisht që momenti kur e shënon atë është i veçantë. Tani kemi dhe tre ndeshje deri në fund të fazës së parë, në të cilat na duhet të marim nga tre pikës në gjithsecilën. Shpresoj që në fund të kësaj faze të jemi 4 apo 5 pikë larg ekipit të kreut. Megjithatë na duhet të mendojmë për sfdën e radhës me Bylisin, pasi është një takim i rëndësishëm me një kundërshtar që duhet marë shumë në konsideratë”, mbyll fjalën e tij kapiteni i ekipit kampion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›