E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria pranë anëtarësimit në BE, qeveria është e lirë ta bëjë aplikimin”

Deklaron ambasadorja çeke në Tiranë, Marketa Filkova, gjatë një takimi me studentët e Elbasanit

TIRANE - Ambasadorja çeke në vendin tonë Marketa Filkova, deklaron se se Shqipëria është pranë anëtarësimit në BE dhe se qeveria e Shqipërisë është e lirë të dorëzojë në Bruksel, aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE.
Gjatë një takimi të zhvilluar me studentë të Universitetit të Elbasanit, e shoqëruar edhe nga përfaqësues të Komisionit Evropian në Shqipëri, ambasadorja çeke, ka parashtruar rolin e Komisionit Evropian, rolin e presidentes çeke në BE por edhe mbi krizën, liberalizimin e vizave dhe sidomos aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat.
Leksioni me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” është fokusuar në temën mbi “ sfidat e presidencës Çeke të Bashkimit Evropian”, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri , në kuadër të projektit “forcimi i rrjetit të qendrave të informacionit të Bashkimit Evropian në qytetet universitare të Shqipërisë,” mbështetur nga delegacioni i Komisionit Evropian.
Për liberalizimin e vizave, ambasadorja çeke ka theksuar se me pajisjen me karta të reja të identitetit dhe pasaportave biometrike, Shqipëria me të drejtë do të kërkojë liberalizimin e plotë të vizave me Bashkimin Evropian.
Mbi momentin e aplikimit të Shqipërisë si kandidat dhe për situatën aktual kur Shqipëria po insiston, Filkova u përgjigj se “momenti i parë është që të jetë nga ana politike e përshtatshme për Shqipërinë që të bëjë këtë aplikim ndërsa momenti i dytë është kur Bashkimi Evropian të jetë i gatshëm për ta pritur këtë aplikim nga ana teknike”.
“Qeveria shqiptare është e lirë ta bëjë këtë aplikim por e rëndësishme është që në momentin kur aplikimi të dorëzohet  të marrë vëmendjen dhe jot ë ndodhë si në rastin e Bosnjës kur ky dokument qëndroi për një kohë të gjatë aty. Shpresojmë që këtë situatë ta kapërcejmë dhe këtë aplikimin e Shqipërisë ta pranojmë në momentin e duhur. Është e rëndësishme që të gjithë vendet e BE tashmë e kanë ratifikuar marrëveshjen e asociim-stabilizimit të Shqipërisë ndërsa Mali i Zi ka aplikuar kur ishin bërë vetëm 7 ratifikime ndërsa Shqipëria është përpara”.
Pyetjes së studentëve se a do ta mbështesë Çekia, Shqipërinë për në anëtarësimin në BE , ambasadorja tha se për shqiptarët, është shumë e rëndësishme aksesi për në Evropë dhe për Presidencën tonë është prioritet zgjerimi i BE drejt vendeve të Ballkanit perëndimor, që për këtë qëllim Presidenca Çeke ka zgjedhur sloganin “Evropa pa kufi”, “një Evropë pa barriera ekonomike kulturore, një Evropë e përhapur nga pikëpamja demokratike, por natyrisht me një politikë të fortë sigurie”.
Në këtë leksion Ambasadorja e Çekisë, e vuri theksin edhe në problemet kryesore që shqetësojnë sot Evropën, të lidhura me  ekonominë, energjinë si dhe marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me botën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›