Sukseset e qeverisë shqiptare, në kushtet e krizës rajonale dhe asaj globale
Në kushte jo shumë të favorshme si brenda Shqipërisë (me një opozitë aspak bashkëpunuese por mbi të gjitha bllokuese), por edhe jashtë saj (siç është kriza rajonale dhe ajo globale), Qeveria shqiptare e kryeministrit Berisha po tërheq vëmendjen e shumë analistëve ekonomikë të cilët tashmë e konsiderojnë Shqipërinë si një vend me një rritje ekonomike nga më të mirat në rajon dhe më gjerë. Në fakt, po të shikohet rritja e pagave, ulja e taksave doganore dhe investimet e shumta anembanë Shqipërisë mund të thuhej me të drejtë se vendi nuk u përfshi aspak nga kriza që ka tronditur vendet e rajonit dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Planet afatgjata të nisura që në mandatin e parë të kësaj Qeverie po japin rezultate nga më të mirat. U nis me rrugën e Kombit, Durrës –Kukës e cila sot është një prej arterieve më të rëndësishme ekonomike dhe turistike të vendit. Ndërsa nga ana tjetër po rivlerësohen zona që deri dje diheshin që ishin të bukura por që në të njëjtën kohë ishin të paarritshme siç është rasti i bregdetit të Vil Bashtovës. Tashmë rruga prej 15 kilometrash nga Gosa drejt bregdetit të Vil Bashtovës që lidhet me autostradën Kavajë – Rrogozhinë është një realitet i rëndësishëm për banorët e zonës por edhe për turistët vendas dhe ata të huaj. Këto arritje kanë vlera të shumëfishta sepse siç u përmend dhe më lart kushtet në të cilat ka punuar Qeveria shqiptare nuk kanë qenë aspak të favorshme. Edhe pse me një opozitë aspak bashkëpunuese, (siç është vënë në dukje shpeshherë edhe nga ndërkombëtarët), duhet nënvizuar fakti se një vend fqinj i Shqipërisë, Greqia ka kaluar dhe po kalon një krizë të thellë ekonomike dhe është me të vërtetë një mrekulli që vendi ynë nuk u përfshi nga kjo krizë rajonale në një kohë kur për shumë analistë të ekonomisë botërore dhe në veçanti të asaj europiane problemi i krizës greke është konsideruar si një ndër problemet më të mëdha. Madje John Lanchester është shprehur se: “Kriza ekonomike greke është fakti më i rëndësishëm që ka ndodhur në Europë pas luftës në Ballkan”. Natyrisht kjo nuk tregon se ekonomia e shtetit fqinj ka një rëndësi kaq të madhe për vetë Europën por që gjithsesi mund të krijonte jo pak probleme për ekonominë globale dhe në veçanti për monedhën e përbashkët të vendeve të eurozonës, euron. Në këtë kontekst të krizës së vendit fqinj Shqipëria thuajse nuk u prek aspak në aspektin ekonomik. Natyrisht lajmet e mira që vijnë mbi zgjidhjen e krizës greke janë të mirëpritura edhe nga pala shqiptare po në këto kushte janë të mira për vetë Greqinë. Ndoshta edhe vetë euro është forcuar disi pas takimit të së enjtes por ajo që ka humbur është Pakti i Stabilitetit i cili nuk ka funksionuar. Gjithsesi, sot gjithmonë dhe më shumë pikëpyetjet mbi ekonominë greke janë shtuar. Dikush thekson se në një mënyrë apo tjetrën Greqia mund të dalë prej skllavërisë së borxhit por dikush tjetër pyet edhe sesi mund të vazhdojë të jetojë? Nga ana tjetër Kemal Dervish, Zv/President i ekonomisë globale në Brookings Institution ka specifikuar ditë më parë në faqet e Financial Times se: “Greqia është një shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe një vend me nivel të lartë, edhe pse në vështirësi dhe si rrjedhojë nuk mund të bazohet për rritjen e saj në prodhimin e manifakturës me çmim të ulët”. Për të shtuar më tej se: “Sektori i turizmit, i klasit të lartë, do të vazhdojë të ketë një rol qëndror për të ardhmen e Greqisë, i forcuar dhe i integruar me aktivitete të tjera kulturore, komunitete për pensionistët e Europës veriore dhe shërbime shëndetësore të klasit të lartë me një kosto favorizuese”. Zv/Presidenti insiston në anën gjeografike të Greqisë por gjithsesi rasti grek ka kaluar edhe përtej oqeanit sic është rasti i Mitch McConnell, senator i Kentuckit, i cili ka deklaruar në një konferencë shtypi se “në disa aspekte i ngjajmë Greqisë”. Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka nënvizuar se Kongresi nuk duhet të bëjë lojëra politike të pamatura duke theksuar se duhet diskutuar për të siguruar rritjen e tavanit të debitit në Shtetet e Bashkuara. “Siç dëshmon qartësisht situata aktuale do të ishte e papërgjegjshme të vihej në rrezik vendi dhe ekonomia. Kongresi nuk duhet të bëjë lojëra politike me ekonominë tonë. Liderët e kongresit kanë rënë dakort për t’u rikthyer në Kapitol Hill për të folur me anëtarët e partisë, dhe bisedimet do të vazhdojnë përgjatë ditës- ka nënvizuar në komunikatën e tij Karney. Shembujt e mësipërm, duan të theksojnë pa asnjë lloj entuziazmi se kriza e vendit ballkanik anëtar të Bashkimit Europian edhe pse tronditi rajonin, kontinentin e vjetër dhe ekonominë globale nuk arriti të influencojë ekonominë shqiptare e cila e përballoi këtë krizë me sukses.
...