Kryeministri Berisha inauguron rrugën Gosë-bregdeti Vil Bashtovë, me vlerë 970 milionë lekë

“Investime në çdo cep për projektin Shqipëria-vend i zhvilluar”
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje pasdite, përfundimin e rrugës Gosë-bregdeti Vil Bashtovë, në Kavajë. Rruga prej 15 kilometra që lidh bregdetin e Vil Bashtovës me autostradën Kavajë-Rrogozhinë, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 970 milionë lekë. Ky segment rrugor lehtëson lëvizjen jo vetëm për 25 mijë banorët e fermerët e komunave Gosë e Kryevidh të rrethit të Kavajës, por do të sjellë një impakt në zhvillimin e turizmit jo vetëm detar, por edhe kulturor të kësaj zonës, duke e bërë më lehtë të arritshëm kalanë mesjetare të Vil Bashtovës. Kryeministri Berisha, duke shprehur kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë përurim, tha se rruga kompleton infrastrukturën më moderne për bregun e detit të rrethit Kavajë, që pret çdo vit rreth gjysmë milioni pushues vendas e të huaj. Kryeministri Berisha duke folur para banorëve të kësaj zone tha se investimi i fundit i qeverisë shqiptare e shndërron Gosën në një nga zonat turistike më të bukura të vendit. Sipas kryeministrit kjo komunë ka potenciale të mëdha turistike për t’u njohur dhe zbuluar, ndërsa premtoi investime në të gjithë vendin, me qëllim realizimin e projektit të madh, “Shqipëria vend i zhvilluar”. “Rruga i jep mundësi krijimit të një poli të ri të fuqishëm turistik për Kavajën e mbarë Shqipërinë. Kjo rrugë kompleton infrastrukturën më moderne për bregun e detit të rrethit Kavajë. Rreth, i cili pret çdo vit rreth gjysmë milioni pushues nga Shqipëria e mbarë bota. Kavaja turistike është dimensioni i ri, i madh i Kavajës së lirë, i Kavajës së njerëzve punëtorë, i qytetarëve, grave e burrave që me djersë e mund ndërtojnë çdo ditë një jetë më të mirë për vetën e tyre. Zona e Gosës, Vil Bashtovës është një nga zonat më bukura të Shqipërisë. Në shekuj, Vil Bashtova ka qenë një nga portet më të rëndësishme të vendit dhe sot, ajo do kthehet në një nga zonat turistike më bukura e të fuqishme. Vetëm dy ditë më parë, në Agjencinë për Investime dhe Zhvillim, ne miratuam një projekt që parashikon rreth 1 miliardë euro investime në këtë zonë, parashikon ndërtimin e komplekseve turistike ndër më të bukurit në Mesdhe. Rruga gjithashtu është një lehtësi e madhe për të gjithë fermerët e mrekullueshëm të Gosës e Kryevidhit, të cilët do të kenë mundësi të nxjerrin në treg prodhimet e tyre me koston më të vogël e kohën më të shkurtër. Këto ditë, kur do të inaugurohej kjo rrugë, një qytetare e Kavajës më dërgon një mesazh sms, ku më uronte për rrugën e më thoshte se dikur, i ati i punonte këtu dhe kthehej në Kavajë një herë në javë, për shkak të distancës së largët e pamundësisë së transportit, ndërsa tani arrin në Gosë për 20 minuta”, u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë tha se çdo cep i Shqipërisë është për t’u zhvilluar dhe për këtë Ekzekutivi do bëjë gjithçka. “Për ju, për çdo shqiptar, një projekt është vendimtar dhe ky është projekti i Kavajës së zhvilluar, Gosës së zhvilluar, Shqipërisë së zhvilluar. Ky projekt kërkon ndihmesën, kontributin dhe angazhimin e gjithsecilit prej jush, në interesin më të mirë personal, në interesin më të mirë familjar. Ky projekt kërkon që ne, shqiptarët, me mençuri të krijojmë të ardhura duke shfrytëzuar të gjitha pasuritë e mëdha që disponojmë, kërkon që ne të shfrytëzojmë në mënyrën më të mençur e racionale potencialet e jashtëzakonshme turistike të brigjeve të këtij vendi”, tha Berisha, duke theksuar se vendi ynë ka potenciale turistike të shkëlqyera me zona panoramike të cilat kanë tërhequr interesin e kompanive investuese, ndër më të mëdhatë e Evropës dhe botës. “Ato kanë tërhequr interesin, vëmendjen e kompanive turistike më të mira të Europës e botës, çka do të thotë se kanë një të ardhme turistike që edhe ne vetë sot nuk e imagjinojmë. Por kjo kërkon nga të gjithë ne të japim çdo ndihmesë, çdo kontribut për ta bërë Vil Bashtovën, Kavajën, Shqipërinë, çdo ditë e më shumë turistike. Ne jemi njerëzit më mikpritës në Europë. Mikpritja jonë buron nga virtytet e shpirti ynë i bardhë. Por ne duhet të bëjmë çdo që ashtu siç mbajmë të pastër shtëpitë e oborret tona, të mbajmë të pastër çdo rrugë e rrugicë, çdo mjedis në mënyrë që çdo vizitor të ndjehet në mjedisin më të pastër e më të këndshëm dje të marrë kujtimin më të mirë nga vizita e tij e parë në Shqipëri”, deklaroi Berisha. Ai tha se rruga është një lehtësi e madhe edhe për të gjithë fermerët e Gosës e Kryevidhit, të cilët do të kenë mundësi të nxjerrin në treg prodhimet e tyre me koston më të vogël e kohën më të shkurtër. Berisha i inkurajoi fermerët e kësaj zone të rrisin sipërfaqet e mbjella me ullinj, vreshta e drurë frutorë, duke i siguruar se qeveria do t’i subvencionojë për çdo rrënjë të mbjellë. “Është në dorën tonë, në vullnetin tonë që në çdo pëllëmbë të kësaj toke, në çdo shpat e çdo vend të mund të nxjerrim prodhime nga më të mirat, ullinj, vreshta, arrorë fruta, që do të kenë një treg në mbarë Europën”, shtoi kryeministri. Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se pas infrastrukturës rrugore që shkurton distancat me tregjet, projekti tjetër i madh infrastrukturor në ndihmë të fermerëve do të jetë ai i vaditjes. “Ne së bashku me ta do të punojmë çdo ditë në projektin ëndërr të çdo shqiptari, ‘Shqipëria, vend i zhvilluar’”, tha Berisha, i cili shprehu besimin se shumë shpejt Shqipëria do të renditet në grupin e vendeve të zhvilluara, me të ardhura të larta dhe do të harrohet një herë e përgjithmonë koha kur vendi ishte streha e varfërisë së Europës e botës. Sipas tij, projekti “Shqipëria-vend i zhvilluar” kërkon që shqiptarët, me mençuri të krijojmë të ardhura duke shfrytëzuar të gjitha pasuritë e mëdha që disponojmë si dhe të shfrytëzojmë në mënyrën më të mençur e racionale potencialet e jashtëzakonshme turistike të brigjeve të vendit.
...