E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltari demokrat në bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni: “Sot nis një epokë e re për qytetin e Tiranës”

25-07-2011 / Gazeta 55

Anëtari demokrat i këshillit bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, deklaron se Lulzim Basha merr sot zyrtarisht detyrën si kryetar i bashkisë së Tiranës. Z.Poni thotë se përfaqësuesi i Partisë Demokratike Lulzim Basha e mori detyrën e kryebashkiakut që më 8 maj, ditën kur qytetarët i dhanë votën si dhe i besuan administrimin e qytetit. Sipas tij, çdo njeri është i bindur për fitoren e Bashës, pasi qytetarët kanë qenë me të. “Edi Rama tha se i fitoi zgjedhjet, por doli e kundërta. Dhe Tirana nga nesër ka kryetarin e saj të ri zyrtarisht”, u shpreh Poni. Duke shtuar se kryebashkiaku i ri Basha është një tribun i qytetarëve, ndërsa Tirana me të, do të jetë një kantier i madh pune. “Ne i kemi zbatuar të gjitha standardet zgjedhore dhe betejat tona janë për transparencë. Ne jemi kundër abuzimeve”, tha këshilltari demokrat në bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni. Ai thotë gjithashtu se prania e Edi Ramës në ceremoninë e dorëzimit të detyrës do të ishte një veprim dinjitoz. “Do të isha shumë i dëshiruar që Edi Rama ta mposhte atë ndjenjë apo brengë të humbjes dhe të merrte pjesë në këtë ceremoni. Edi Rama e di shumë mirë se në Tiranë u numëruan me korrektësi dhe transparencë të gjitha votat e qytetarëve”, tha më tej Poni. Ai flet edhe për situatën politike në vend, ku shton se situata e kontestimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë. Sipas tij, “deputetët socialistë duhet të shkojnë në Parlament si dhe të japin aty kontributin e tyre për miratimin e reformave”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›