Tamta Tarieli, një rrëfim në prag të konkurrimit në "Marije Kraja"
Vjen në Tiranë për festivalin ndërkombëtar operistik dhe rrëfen ditët e vështira, kur ajo gjendej në Itali dhe familja në Gjeorgji në mes të kaosit dhe flakëve, kur ajo nuk arrinte të lidhej dot me ta.
TIRANE- Tamta Tarieli e ka të vështirë të flasë për vendin e saj. Sado që mundohet të përmbahet, sytë i mbushen me lot kur e pyet për Gjeorgjinë. Ndërsa kur vjen puna te familja, e folura i ngec në grykë dhe vështrimi i shpërqendrohet. Tamta është sopranoja që përfaqëson shtetin e Gjeorgjisë në edicionin e IX-të të Festivalit Ndërkombëtar Operistik "Marie Kraja". Ndër nëntë konkurrentët e huaj që marrin pjesë sivjet, secili ka një histori jetësore të veçantë. Garuesit e këtij viti janë prezantuar dje në një konferencë për shtyp para gazetarëve dhe çdonjëri tërhiqte me të veçantën e tij. Kishte nga ata që numëronin që nga koha e stërgjyshit prejardhjen nga një familje artistësh, siç ishte italiani Alessandro Luciano, apo ndonjë tjetër, si kubanezi Juri Hernandez, që thoshte me bindje se populli i tij është i aftë të ringrihet në këmbë edhe pas një tragjedie si ajo që shkaktoi uragani i ca javëve më parë. Por ndër të gjithë, vetëm Tamta nuk e çoi dot deri në fund rrëfimin e saj për veten. Sopranoja 27-vjeçare mundohet nga një brengë shumë më e freskët se të tjerët. Dhe dhimbja i vjen nga lufta që deri pak kohë më parë ishte kryelajmi i të gjithë botës. Tamta jeton prej vitesh në Itali dhe ka pasur fatin të debutojë në skena shumë prestigjioze italiane, por prej të paktën një muaji nuk ka arritur të nxjerrë asnjë tingull zëri në asnjë lloj skene. Që kur plasi lufta në Osetinë e Jugut, karriera e saj ka ngecur në një pikë: sytë i ka të drejtuar nga vendlindja. "Është e vështirë për një gjeorgjiane të arrijë të integrohet në jetën operistike italiane. Është e vështirë për këdo, por sidomos për ne. Megjithatë unë ndërkohë kisha arritur ta prekja ëndrrën time. Në vitin 2004 debutova në sezonin lirik të Osimos në Ankona dhe pas herës së parë gjërat morën për mbarë". Do të punonte për katër vjet rresht në Itali, duke shtuar në CV-në artistike plot role të rëndësishme, çmime në konkurse ndërkombëtar e famë në vendin e Verdit e Pavarotit. Por hovi i saj do të ndërpritej përkohësisht pak kohë më parë. Nëse deri në momentin e trazirave në vendin e saj, në Gjeorgji, Tamta lidhej çdo mbrëmje me familjen e saj për t'u dhënë të rejat e fundit, për t'iu folur për rolin e ri a skenën ku ishte ngjitur, në atë çast jeta i kishte pësuar një tronditje nga themelet. "Lidhesha vazhdimisht me familjen, mësoja që të paktën ishin gjallë, por atje gjërat përkeqësoheshin çdo ditë", - thotë ajo. Pak ditë më vonë do t'i vinte lajmi tjetër se shtëpia ku jetonin prindërit, vëllezërit dhe motrat i ishte bërë shkrumb e hi. Të sajët kishin marrë shtegtimin nëpër qytete të largëta për t'i shpëtuar fatit më të keq. "Gjatë gjithë atyre ditëve nuk arrija të bëja asgjë. Përfundova në spital, sepse nuk i përballova dot lajmet që dëgjova. Nuk mund të flitej më për mua, as për koncerte e as për aktivitete të tjera, të çdo lloji qofshin. Vazhdoja të komunikoja me ta, e dija që ishin gjallë, por edhe kjo nuk më ngushëllonte". Do të zgjaste plot një muaj sëmundja e saj pa një emër të përcaktuar nga mjekët. Tamta do të kishte qenë dakord të hiqte dorë nga të gjitha e të kthehej në vendlindje për ta, por menaxherja e saj italiane nuk ia lejonte. Tek e fundit, edhe sikur të shkonte asgjë nuk do të kishte ndryshuar për ta. "Nuk u bashkova dot me ta asnjëherë. Kam arritur t'i takoj vetëm pasi gjërat u qetësuan", - thotë me lotët që i rrjedhin pa mundur t'i përmbajë më. Është e ndaluar për një soprano të përlotet para një shfaqje. I dëmtohen kordat e zërit dhe nuk këndon dot më brenda një kohe të shkurtër, por Tamta nuk përmbahet dot. Festivali "Marie Kraja" natën e parë e starton nesër mbrëma në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, dhe deri atëherë beson se ka kohë ta marrë veten. "Festivali? Kam vite që e dëshiroj pjesëmarrjen në të. Kam pasur rastin e mirë të dëgjoj shumë emra të njohur, që startin e kanë pasur këtu, prisja vetëm momentin. Por që të jem e sinqertë, kur erdhi ky moment isha gati të hiqja dorë". Kështu do të ndodhte sikur të mos kishte këmbëngulur përsëri menaxherja e Tamtës. Ka qenë ajo që e ka ngritur nga krevati, për ta "detyruar" të merrte rrugën drejt Shqipërisë. Tamta nuk duhej ta humbiste këtë rast, nuk duhej të vihej përfund nga dhimbja. "Është e çuditshme, por kur erdha këtu mu duk sikur u çmalla me Gjeorgjinë. Nuk di ta them arsyen, por janë dy vende që ngjajnë shumë. U ndjeva si në shtëpinë time". Por emri Gjeorgji do ta përndiqte në një farë mënyre edhe këtej. Sapo shkeli tokën e Rinasit dhe tregoi pasaportën, njerëzit që e rrethonin do ta vazhdonin atë pyetjen ankth për të; "si është gjendja në Gjeorgji?". "Kjo gjë me rikthente kujtimet e tmerrshme të atyre ditëve, - shton Tamta, - gati, gati më zaptonte sërish ajo gjendja e ankthit, por më pas kur hyra në Tiranë, më dukej sikur isha në vendin tim. Sot kemi filluar provat dhe gjendja duket se po shkon drejt normalitetit, megjithatë atë kohë të vështirë nuk do ta harroj kurrë". Tamta Tarieli e mbyll rrëfimin e vet duke folur për ambiciet që ka në të ardhmen, për festivalin "Marie Kraja" dhe mundësitë që do të ketë nëse fati e ka shkruar të jetë një nga fitueset. Megjithatë, edhe ajo e ka shënuar në eksperiencën e jetës një çast delikat. Nga ato që mund të të kushtojnë edhe karrierën.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)