Sulejman Dibra: Bashkia e Tiranës, në mënyrë të dhimbshme shkriu estradën
Ideja për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës ka ngjallur debate në qarqet kulturore të vendit. Janë mendime të ndryshme, të cilat vijnë duke u analizuar me detaje se çfarë do të sjelli ky teatër i humorit, por cilat do të jenë dhe problemet që do të shoqërojnë ngritjen e tij. Për artistin e njohur dhe një nga ish drejtuesit e Varietesë së Tiranës, ngritja e këtij
institucioni pa dyshim që i shërben artit, pasi sipas tij publiku e do komedinë dhe humorin. Në këtë intervistë dhënë për gazetën, ai rrëfen dhe cilat mund të jenë disa nga problemet, që do të hasen gjatë ngritjes së këtij institucioni kulturor. Në këtë intervistë ai tregon se është e padrejtë, që para disa vitesh u shkri Estrada e Tiranës apo Varieteja e Tiranës, gjë e cila sipas tij ishte një fatkeqësi për artin shqiptar. Shkrija e saj, sipas ish drejtorit Sulejman Dibra, i cili për 10 vjet drejtoi këtë estradë, ka qenë një trupë me artistë, e cila njohu sukseset e saj. Ish drejtori Dibra tregon se pranë saj në atë kohë u afruan aktorë të rinj të diplomuar e të talentuar, këngëtarët më të mirë të muzikës sonë të lehtë dhe asaj popullore dhe krijues të tjerë që i dhanë tonin jetës kulturore. Në vijim të kësaj interviste ai tregon se sot ka disa modele, që janë aplikuar në vende të ndryshme të Evropës sa i takon tetarit të komedisë dhe humorit dhe sipas tij janë mundësitë që edhe vendi ynë të zgjedhë modelin më të mirë prej tyre. Megjithëse ai pohon se kjo do të ketë një faturë financiare, sërish gjithçka do të jetë në shërbim të jetës kulturore, që sipas tij ka kohë që i ka munguar ky zhanër artistik. Për ish drejtorin e Varietesë së Tiranës Dibra, ky teatër komedie më mirë se kushdo mund ta trajtojë me anë të kritikës problemet e kohës në shoqërinë shqiptare. Varieteja e Tiranës, ky institucion profesionist u themelua më 1952, duke grumbulluar artistët më të mirë të grupeve amatore. Në përbërjen e tij ka sektorin e muzikës dhe atë të humorit. Teatri Varietesë ka dhënë çdo vit mbi 250 shfaqje në mbarë Shqipërinë. Në trupën artistike të këtij institucioni kanë punuar artistë të shquar të humorit e të satirës, të muzikës e të këngës si Mihal Popi, Melpomeni Çobani, Skënder Sallaku, Enver Dauti, Vasillaq Vangjeli, Xhemal Myftiu, Agim Bajko, Marjana Kondi, Koço Devole, Mexhie Pici Vegim Xhani, Veli Rada, Xhevahir Zeneli, Pranvera Veizi, Shpresa Përdëllima, etj, këngëtarët: Luan Zhegu, Ema Qazimi, Kozma Dushi, Irma Libohova, Liljana Kondakçi. Muzikantë si Alqi Kareco, Aleksandër Lalo, Demokrat Çahini etj. Bashkëpunëtorë të këtij institucioni janë artistë e shkrimtarë të shquar shqiptar, si Spiro Çomora, Dritëro Agolli, Shefqet Musaraj, dhe regjisorët: Pirro Mani, Mihal Luarasi, Kosta Kamberi, Sulejman Dibra, Kiço Londo, Mehmet Xhelili etj. Këta artistë kanë realizuar në skenë rreth 600 premiera, të ndjekura nga më shumë se 3 milion spektatorë.
-Para disa ditësh kryeministri Berisha foli për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës. Ju, si e gjykoni këtë?
Ky është një vendim i drejtë, por problemi qëndron në faktin se estrada ka një emërtesë jo të mirë për veshët e dikujt me kohën që ne po kalojmë sot, sepse mendojnë që ky është një term i vjetruar dhe mendojnë se është i kohës së komunizmit, i diktaturës. Duke qenë e tillë, për mua është jo vetëm gabim, por kjo nuk qëndron fare, për arsye sepse populli ka nevojë për të qeshurën, ka nevojë për satirën, vodvilin, ka nevojë për komedinë muzikore. Pra ngritja në këtë moment i estradës, por shumë mirë mund ti thuhet dhe varieteja apo teatri i komedisë është më se në kohë dhe më se i domosdoshëm për mua. Unë këtu po problemin nuk e shtroj politikisht, duke thënë se kush e ka fajin, por unë them që të ndërtohet teatri i komedisë dhe i humorit shqiptar është një gjetje shumë e mirë. Prandaj unë megjithë fuqinë time intelektuale do ta mbroj këtë mendim të kryeministrit, sepse ai ka një të drejtë. Pas kësaj që tha kryeministri, unë dëgjova një prononcim që u tha se akoma do ta ringremë estradën, po paratë e shtetit dhe si do të mbahet kjo estradë që po rikthehet? Vërtetë kryeministri tha fjalën estradë ashtu si ka qenë dikur, por në rikonceptimin e saj ka hapësira të mëdha për arsye se nuk ka vetëm estradë. Në vendet e demokratizuara, që në praktikën e tyre nuk kanë estradën për mendimin tim nuk kanë të drejt, sepse edhe në vendet më të demokratizuara ka estradë dhe që financon shteti totalisht. Dhe unë them që komedia franceze, e cila ka 200 vjet që është krijuar dhe në të gjithë hapësirat e saj të shfaqjeve ka komedinë, vodvilin pra ka të gjithë elementë që ka një variete, pra kur po përmend Francën kemi dhe shumë vende të tjera që e kanë këtë. Teatri i Varietesë mendohet jetë kombëtar, madje unë do të shtoja dhe një gjë tjetër të që nuk duhet të jetë vetëm teatri i komedisë dhe humorit në kryeqytet, por ai duhet të jetë dhe teatri i varieteve të rretheve, për arsye se po shikohet që nuk po ka prurje, sepse nuk kanë para. Shteti është shumë i fuqishëm se sa bashkitë dhe ai duke i marrë në mbrojtje, mbron një art, i cili është më se i domosdoshëm për publikun. Ky art ka satirën, ka thumbimin, p.sh sot ka shumë probleme dhe këto vijnë të kritikuara shumë mirë në estradë me anë të qeshurës. Prandaj unë them që kjo ide është në kohë dhe jo vetëm kjo, por dhe me emërtesën që do të jetë teatri i komedisë dhe i varietesë së humorit shqiptar. Dhe unë them që kjo gjetje e shpëton nga shumë elementë të tjerë. Kjo estradë, që në historikun e saj ka me qindra premiera, miliona shikues, kjo variete ka pasur një respekt të jashtëzakonshëm dhe këtu mua më pëlqeu kryeministri, sepse ai me shumë dinjitet e mbrojti artin e humorit dhe të satirës, sepse vërtetë ka pasur shkrimtarë dhe aktorë të mrekullueshëm. Madje në atë kohë edhe bileta nuk arrije të gjeje, për të parë shfaqjet e Varietesë së Tiranës.
-Ju jeni një nga ish drejtuesit e Varietesë së Tiranës dhe e dini se cilat janë problemet e një institucioni që lëvron këtë art, por sipas jush cili do të jetë problemi sapo të fillojë të konkretizohet kjo ide?
Rikonceptimi kërkon një riorganizim të së tërës, pra nuk duhet të jetë më ashtu siç ka qenë, por do të jetë në hapësira të tjera dhe këto hapësira duhet të parashikohen, që nga stafi që do të merret me këtë, që nga pagesat e artistëve, që nga trajtimi i premierave, që nga dhëniet e tyre, programet, etj, pra kjo kërkon një rikonceptim të përgjithshëm, sepse tani estrada, varieteja apo teatri i komedisë dhe i humorit në hapësirat e veta do të ketë patjetër komedinë,do të ketë patjetër vodvilin, skeçet parodinë, këngën, etj. Por ajo që merr rëndësi të veçantë duhet të jetë se si do të trajtohet nga ana trajtimit financiare. Këtu format janë nga më të ndryshmet. Ka forma shtetërore, ka forma që i financon pjesërisht shteti, pra duke qenë se ajo do të ketë vodëvilin, skeçin, parodinë etj, do të ketë dhe përmasat se sa i financon, ky është një problem që varet nga shteti, sepse çdo shtet ka organizmin e vet, ka format e veta të drejtimit dhe ne nuk kemi pse të kopjojmë, por ama diçka duhet të shohim nga tjerët, sepse nuk mund të jetë e paktë p.sh të marrësh forma e komedisë franceze, apo të marrësh nga Rusia që është vend ish socialist, apo Bullgaria, Rumania etj, sepse këtu ka elementë që i financon shteti, sepse arti nuk mbahet dot me një vetëfinancim total. Kryesorja është që të ngrihet teatri i komedisë dhe i humorit, që për 5 vite me radhë i mungon shtetit.
-Çfarë kujtoni nga koha kur u shkri Estrada e Tiranës?
Vërtetë u shkri para disa vitesh, po në atë kohë u tha që do të punoni me projekte, por deri tani ne nuk kemi parë asnjë projekt të Estradës së Tiranës, pra forca e Bashkisë nuk është për ta përballuar këtë, sepse ky teatër për vetë mundësitë dhe funksionin e vet do të rrezatojë gjithmonë buzëqeshje. Meqë është ana e mirë jetës sonë me anë të kritikës dhe thumbimit ai duhet të mbijetojë.
-Sipas jush, kjo trupë duhet të ketë emrat që ka pasur dikur?
Unë mendoj se ajo kryesisht do të ketë elementë të rinj. Ky teatër duhet të shtrihet edhe në rrethe, për arsye se diplomohen tek artet me qindra studentë dhe i ke çdo ditë në lokalet e Tiranës dhe at kërkojnë të punojnë. Kështu disa vetë do të punësohen në Tiranë, disa në Kukës, disa në Peshkopi etj, ku nuk ka estradë, sepse janë 15 estrada që nuk i ndihet më zëri dhe tani artistët i shohim nëpër kaseta. I shohim në dasma dhe të vjen keq, pasi kur u shkri Varieteja e Tiranës të gjithë artistët dolën në rrugë. Ne bëmë protestë dhe u ngritëm kundër këtij vendimi, por Bashkia e Tiranës vetëm heshte, sepse ne kishim të drejtën me vete, por Bashkia e Tiranës gjeti modelin duke e bërë një qendër kulturore. Ajo e shkri, sepse aty gjeti hallkën më të dobët. Ky ishte një veprim i padrejtë dhe prandaj e quaj të drejtë këtë që ka thënë kryeministri. Shkrirja që iu bë estradës nga Bashkiae Tiranës në atë kohë i solli artit shqiptar vetëm të keqe, sepse ata artistë vërtetë nuk mund të vijnë më në estradë, por problemi është më i thellë sepse ata ishin artistë që ishin personalitete. Estrada apo varieteja e Tiranës në vitin 2000 filloi të tronditet, për arsye se asaj pak e nga pak në mënyrë të heshtur i hoqën të gjitha gjërat dhe i lanë vetëm pagën, ujin dhe dritat. Lekët për recital, për krijimtarinë apo dhe të tjera u hoqën të gjitha, i hoqën dhe skenën dhe kjo ishte shumë e dhimbshme, deri në vitin 2005 kur ajo u shkri. Nuk mund të kryejë asnjë institucion funksionin e Varietesë së Tiranës. Ajo merr materialin e kohës, të momentit dhe e trajton, ku ne dikur i kemi thënë gazetë folëse. Vendimi për shkrirjen e estradës është i nxituar, por këtu ka faj dhe shteti në atë kohë, i cili duhet që me anë të politikave të tij të mos ta lejonte këtë. Estrada është krijuar me vendim të këshillit të ministrave dhe vendimi tij ka të drejtë ta shkrijë, pasi ne ishim në varësi, por jo që ne të shkriheshim. Format e financimit janë nga më të ndryshmet, p.sh sa i takon Teatrit të Metropolit, është bërë një gjë jashtëzakonisht e mirë dhe në shërbim të publikut. Është një teatër me vlera dhe po sjell për publikun vepra të bukura. Në këtë teatër janë krijuar dhe disa salla të reja dhe kjo është një gjë shumë e mirë në funksion të teatrit, por një e mirë madhe e Teatrit të Metropolit është dhe hapësira që ai ka dhënë të rinjve, të cilët kur dalin nga shkolla kanë një mundësi ku ata të shpalosin vlerat e tyre artistike. Bashkia e Tiranës nuk u soll mirë me varietenë, sepse e quajtën art demode, mediokër,estradë? Por pse ajo nuk paska të drejtë të jetoka ashtu si jeton TK, apo TKOB, madje unë them që artin duhet ta mbrojë shteti, dhe format i gjen vetë. Populli paguan për artin. Ne mund të marrim dhe forma të tjera nga bota ajo që ne na duket më e mira. Ne kemi shumë probleme si vend, por jo për 20 veta që bënin estradë në atë kohë të bëhet gjithë ajo. Krijimi i teatrit të humorit dhe komedisë është në kohë, sepse çdo gjë do të shkonte në harresë. Ajo tashmë do të ketë karakter tjetër, por mund të jetë dhe artistë nga të rretheve të tjera sepse humori është i të gjithëve. Unë kam bindjen se ajo do të ketë sukses, madje unë them se do të jetë në gjendje ta mbledhë publikun po asht si ajo ka mbledhur dikur publikun dhe për këtë duhet të jeni të bindur, sepse populli është i prirur drejt qeshjes. Shkrirja e Varietesë së Tiranës në atë kohës ishte një fatkeqësi për artin.
-Keni qenë shumë herë drejtues si në TK, në Varietenë dhe Cirkun e Tiranës, kur ka qenë për ju periudha më e vështirë si drejtues?
Më shumë vështirësi kam pasur me Teatrin Kombëtar, sepse aty kishte personalitete të jashtëzakonshme dhe isha në një moment kur po ndryshonin format e trajtimit të artistëve dhe në atë kohë morra disa nisma që i erdhën në ndihmë artistëve.
-Jeni i njohur dhe si aktor, roli më i veçantë për ju?
Unë kam luajtur në rreth 40 role në teatër dhe në kinema, ku në kinema kam 25 role, dhe më i veçanti për mua është roli i kasketës tek filmi Operacioni i zjarrtë, tjetër rol që mua më ka pëlqyer shumë ka qenë dhe hetuesi tek seriali televiziv Njerëz dhe fate, rol për zemër kam pasur bolla e zezë tek filmi Njësiti gueril, tek Prita. Në teatër roli im më i veçantë është Artur Ui, në veprën po me të njëjtin titull. Ishte një rol, një trampolinë e shkëlqyer sa i takon aktorit.
-Mes drejtuesit të institucioneve artistike, regjisurës dhe aktrimit ku jeni ndjerë më mirë?
Më mirë unë jam ndjerë në teatër si aktor, sepse të jepte kënaqësi për çdo natë.
Aktiviteti artistik i artistit
Ka lindur më 9 Shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të studimeve të lartë në Shkollën e Lartë për Aktor Aleksandër Mojsiu në Tiranë,në vitin 1966 rikthehet në qytetin e Shkodrës për të punuar si aktor profesionist në Teatrin Migjeni të këtij qyteti. Në vitin 1969 do të transferohet në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë. Me këtë teatër ka interpretuar në shumë pjesë si Arturo Ui e Bertold Brehtit, Toka jonë e Kolë Jakovës, Prefekti e Besim Lëvonjës etj. Në kinematografi ka interpretuar në shumë role. Roli i tij i parë do të jetë ai partizanit të plagosur në filmin Komisari i Dritës. Më tej do të interpretonte në rolin e Kiços,agjentit 13 në filmin Njësiti Guerril, rolin e Sotir Filipit Kasketa në filmin Operacioni Zjarri, rolin e drejtorit të shkollës në filmin Tinguj Lufte, rolin e Gjeneralit turk në filmin Nëntori i dytë etj. Roli i tij më i fundit është në vitin 2009, ai i Myrtezait në filmin Ne dhe Lenini. Ka dhënë mësim në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit. Për meritat e tij artistike në vitin 2006, Sulejman Dibra është vlerësuar me urdhrin Naim Frashri i Artë. Ai ka qenë drejtues i Estradës së Tiranë nga viti 1979, të cilën e drejtoi për 10 vjet, më pas për disa vjet deri më 1994 ishte drejtues i Cirkut të Tiranës, dhe në vitin 1995 bëhet drejtor i Teatrit Kombëtar.
Rolet në kinematografi:
Njerëz dhe Fate, Hetuesi
2009--Ne dhe Lenini, Myrtezai
1998--Kolonel Bunker
1997--Bolero, Pronari italian i shtëpisë
1989--Balada e Kurbinit, Kadër Herzi
1986--Guri i besës, Prifti
1983--Nëntori i dytë, Gjenerali Turk
1981--Qortimet e vjeshtë, Xha Koli, shitësi i gështenjave
1979--Ne vinim nga lufta, Partizani
1976--Tinguj lufte, drejtori i shkollës
1975--Rrugicat që kërkonin diell, Jovani
1973--Operacioni Zjarri, Sotir Filipi,Kasketa
1969--Njësiti Guerril, Kiçua, Agjenti 13
1968--Prita, partizani Cane, ndihmësi i mitralierit Sulo
1966--Komisari i Dritës, partizani i plagosur në shtëpinë e Dodës gjatë luftës
Teatër
-- / -- / ---- -- Arturo Ui e Bertold Brehti
4/3/1974 -- Toka jonë e Kolë Jakovës
18/2/1974 -- Bashkë me agimin e Kolë Jakovës
28/11/1973 -- Prefekti e Besim Lëvonjës (Artist i Merituar)
24/1/1973 -- Sinjali i kuq e Bashkim Kozelit
Toka jonë e Kolë Jakovës (as/regjisor)
Tituj
2006
Urdhri "Naim Frashri i Artë"
Intervistoi: Julia Vrapi