Dërgohet në Gjermani turku i trafikut të drogës
Ekstradohet në Gjermani një turk që u kap disa muaj më parë në Tiranë dhe kërkohej nga drejtësia për trafik droge. Pikërisht dje, rreth orës 12:30, u krye ekstradimi nga vendi ynë drejt Gjermanisë i shtetasit turk, Mahmut Goek, 29 vjeç, banues në Biberach, Gjermani. Zyra e Prokurorit të Ravensburg në Gjermani, me urdhrin e arrestit nr. 6 Gs 49/05, datë 25 tetor 2005, kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin e lartpërmendur, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike“ disa herë, e kryer në bashkëpunim. Nga periudha janar deri në tetor 2005, shtetasi i lartpërmendur është marrë me shitjen e sasive të mëdha të kanabisit në Biberach, Gjermani. Lëndën narkotike, ai e siguronte së bashku me një shtetas gjerman në Holandë. Arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit të lartpërmendur është bërë në datën 17 shkurt 2010, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden dhe me Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ekstradimin e tij, që u realizua ditën e djeshme.
#