Sulejmani: “Dua të luaj për vendin tim, Serbinë”

"Dua të luaj për vendin tim, Serbinë". Një deklaratë e tillë do të ishte shumë normale nëse nuk do të dilte nga goja e një futbollisti që (deshi apo nuk deshi) është shqiptar.
Miralem Sulejmani, ish-futbollisti 17-vjecar i Partizanit të Beogradit i është drejtuar opinionit sportiv serb për të demantuar fjalët për atë që kishte filluar të quhet "rasti Sulejmani".
Mediat serbe kishin kohë që kishin lajmëruar për problemet mes futbollistit të ri shqiptar Miralem Sulejmani dhe drejtorit të Partizanit të Beogradit, Nenad Bjekovic. Bjekovic kishte deklaruar se Sulejmani e kishte kërcënuar se do të marrë nënshtëtësinë shqiptare nëse do të detyrohet që të nënshkruajë kontratë profesionale me Partizanin.
Por një një nga shpresat e futbollit serb, ka shpejtuar të demantojë një gjë të tillë dhe të tregojë "patriotizmin" për shtetin që vetëm pak vite më parë ka vrarë me mijëra bashkëkombas të tij.
"Më vjen keq që më duhet të reagoj në këtë mënyrë ndaj akuzave të Partizanit, të cilat na kanë shqetësuar jo vetëm mua por gjithë familjen time. Asnjëherë nuk kam kërcënuar apo deklaruar se do të marr nënshtetësinë shqiptare, pasi një gjë e tillë asnjëherë as nuk më ka shkuar ndër mend", i ka thënë Sulejmani të përditshmes malazeze "Dan".
"Nëse do të kisha ndërmend që të marr pasaportën shqiptare apo të luaj për atë kombëtare nuk do të përgjigjesha në ftesën e përzgjedhësit Zhivkovic. Gjithmonë kam luajtur për vendin tim, Serbinë", ka shtuar Sulejmani.
Miralem Sulejmani, i datëlindjes 1988 konsiderohet si një nga shpresat më të mëdha të futbollit serb dhe aktualisht është pjesëtar i kombëtares serbe U-17.