E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulka: Puna në komunitet e çon ndihmën ekonomike në 150 mijë lekë

Reforma që po kryhet mes Ministrisë së Punës dhe pushtetit vendor për përfshirjen e personave me ndihmë ekonomike në punë komunitare ka dhënë rezultatet e para. Në disa njësi, familjet në nevojë kanë arritur të sigurojnë 150 mijë lekë çdo muaj me anë të metodës së re. Si kryhet reforma dhe cilat janë veçoritë e saj? Cilat janë politikat kryesore të Ministrisë së Punës për ndihmën ekonomike dhe punësimin? Flet për “standard” zëvendësministri i Punës, z. Kastriot Sulka

Intervistoi:Ardit Bido

arditbido@journalist.com

Cilat janë nismat e ndërmarra nga qeveria për përmirësimin e ndihmës ekonomike në planin afatgjatë?

Ndihma ekonomike vazhdon të jetë minimumi për të jetuar, pra njerëzit që nuk kanë të ardhura të tjera vazhdojnë të trajtohen me ndihma ekonomike. Ajo çfarë dua të bëj të qartë, është momenti i zbatimit të saj nga pushteti lokal. Ne kemi vendosur disa standarde dhe politika të tjera, duke e kushtëzuar ndihmën ekonomike edhe me punë komunitare.

Në komuna të caktuara është krijuar mundësia që të bashkëpunojnë për të punuar kundrejt një kohe të caktuar, për shembull 2-3 orë ose dy ditë në javë. Nga ana tjetër, kemi shtuar më shumë mundësinë që të identifikojmë më saktë personat që kanë nevojë për ndihmë ekonomike për të hequr nga skema personat që përfitojnë në mënyrë abuzive. Kemi pasur rezultate duke e çuar nga 120 mijë në 90 mijë familje. Por kemi pasur rritje të fondit 2.6 miliardë në 3.5 miliardë.

A i plotëson ky fond të gjitha nevojat?

Nevojat janë gjithmonë relative. Është një fond i cili është shtuar, por gjithsesi në rastin maksimal, një familje merr rreth 70 mijë lekë për familjet me 6 persona e më shumë. Kjo gjë krijon një mundësi për të ulur numrin e abuzivitetit, duke shkuar ndihma tek ata persona që kanë nevojë dhe në të njëjtën kohë janë hapur perspektiva e shoqërimit të kësaj kategorie me punë komunitare. Kjo nismë ka rezultuar shumë efektive, pasi më anë të saj kishte shumë persona të cilët duke qenë se nuk e kishin të domosdoshme ndihmën, nuk pranonin që të shoqëronin me punë komunitare. Duke e zvogëluar numrin e personave që marrin ndihmë ekonomike dhe duke rritur të ardhurat personale të kësaj kategorie, ka shkuar deri në 150 mijë lekë për personat që punojnë.

Pra, ndihmë ekonomike kjo kategori përfiton pagë nga puna komunitare...

Po, po, absolutisht. Ata paguhen për ato orë që punojnë dhe përveç kësaj, marrin edhe ndihmën ekonomike.

Ekziston një draft i përcaktuar për punën komunitare për punën në komunitet?

Ekzistojnë kriteret përkatëse për sa i përket hapësirës që ka bashkia dhe komuna. Fondi që ne dërgojmë, është i përcaktuar, por mund të ketë edhe fond shtesë nga pushteti lokal. Ne nuk mund ta limitojmë kufirin maksimal të fondit, pasi bashkia mund të përdorë të ardhura edhe nga taksat e veta. Ne u kemi krijuar pushteteve lokale mundësinë e përdorimin e këtij fondi.

A ekziston një bashkërendim pune nga Ministria e Punës, Ministria e Mjedisit dhe pushteti vendor, në kuptimin që një sektor që ka shumë pak burime njerëzore, siç janë drejtoritë rajonale të mjedisit, të përdorin personat që marrin ndihmë ekonomike të punësohen? A ekziston një bashkëpunim i tillë?

Kjo është njëra nga fushat më me efiçencë, nëse do të kishim pasur një bashkëpunim të tillë. Por kjo varet së pari nga bashkia përkatëse, formula përkatëse se cili do të ishte vërtet prioriteti i saj, sepse për vende të caktuara mund të mos ketë persona. Mund të ketë probleme me varfërinë, por mund të mos ketë probleme me ndotjen.

Ekziston një bashkëpunim i tillë mes zyrave rajonale të pushtetit qendror dhe njësive vendore?

Kjo kërkon një shtysë nga pushteti lokal, ta tërheqë këtë vëmendje. Fondi atij i shkon i pakufizuar, nuk i shkon për qëllime të caktuara, në qoftë se vërtet pushteti lokal vendos prioritetet e veta dhe pastaj ajo e menaxhon.

Ndihma ekonomike do të vazhdojë të rritet, do të arrijë ajo në 50 për qind të pagës minimale?

Aktualisht kemi arritur në këtë kufi, pasi dihet që paga minimale është 160 mijë lekë. Kemi kapur këtë vlerë.

Masa e ndihmës ekonomike të përcaktohet tek individi dhe jo për familje siç është aktualisht?

Nuk janë të njëjtat kërkesa si individi sesa ai familjar, pasi dihet që një familje me katër persona ka nevojë për gjërat emergjente të tipit energji, ushqim. Ndërsa për personin vetë kjo ndryshon normalisht që do të ketë kërkesa të tjera.

Shërbimi social shtetëror ka deklaruar se ka pasur abuzim nga këshilltarë komunash ose bashkish të cilët kanë marrë ndihmë ekonomike për vete...

Abuzivitet ka pasur, kjo gjë është më se evidente. Në vitet 2000 niveli i abuzivitetit shkonte deri në 40 për qind. Ne synojmë që përmes kthimit të shërbimit social shtetëror, një strukturë e cila do të fokusohet kryesisht tek inspektimi për respektimin e standardeve përkatëse. Gjykojmë se kësaj do t’i mëshojmë më shumë. Ky rast që thoni ju, është ekstremi më i lartë i abuzivitetit.

Si paraqitet gjendja aktualisht?

Vazhdojmë që ne të nxjerrim nga skema. Fakti që kemi lëvizur nga 120 mijë familje në 90 mijë familje është një fakt që është ulur numri i abuzuesve.

Të dhënat tregojnë se niveli i papunësisë është ulur. Cilat janë politikat afatgjate të institucionit tuaj?

Politika kryesore është përmirësimi i shërbimit dhe i nivelit të formimit profesional. Të dyja këto do të kenë një impakt pozitiv. Ne tashmë kemi dy zyra funksionale, në Tiranë dhe Korçë. Ne shpresojmë që brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm të mbyllim mbledhjen e të dhënave teknologjike. Të paktën zyra rajonale do të funksionojnë përmes një softueri i cili të jep shumë informacion në lidhje me vendet vakante të punës. Kjo gjë do të rrisë edhe cilësinë. Brenda 4 viteve duhet të kemi brenda rrjetit tonë zyrat e formimit profesional, fondi i punësimit, i cili është njëri nga elementët më fleksibël për tregun e punës.

Si është kurba e interesit të bizneseve ndaj zyrave të punësimit?

Ka bashkëpunim me zyrat e punës të subjekteve të ndryshme. Primare mbetet rritja e profesionalizmit të zyrave të punës, pasi subjekti kërkon gjithmonë besim nga zyra e punës.

Ulja e papunësisë është edhe pulsimi sezonal jashtë vendi. A ka marrëveshje vendi ynë me vende të tjera?

Kemi pasur disa tentativa. Kemi trajnuar një grup personash përmes projekteve të ndryshme që janë në gjendje për vendet e punës në tregun italian. Kemi dy pasoja. Në këtë mënyrë do të marrim elitën e tregut të punës për t’i dërguar atje. Pra po investon. Dhe kjo nuk është në interesin e një shteti që t’i trajnojë dhe më pas të shkojnë larg. Madje për tregun elitar kemi projekte si “brain gain”.

Për dy persona, ndihma ekonomike është 36 mijë lekë. Me këtë mënyrë mos favorizohet puna e zezë?

Kjo ka qenë për efekt llogaritjeje që dy kryefamiljarët të marrin një ndihmë ekonomike. Janë njerëz që një formë punësimi do ta kenë. Çështja është që nuk ekziston asnjë familje që të marrë ndihmën ekonomike në këto kushte, në të gjitha rastet ata punojnë. Të jemi realistë, ndihma ekonomike është mjaft e ulët, por këto janë mundësitë që ka shteti shqiptar. Nëse do të ishte një shtet me më shumë mundësi, Norvegjia për shembull, do ta rrisnim ndihmën ekonomike në dyfish, e paralelisht do të rrisnim pensionet, pagat, pagesat e invaliditetit etj.

Mos është i keqllogaritur niveli minimal i jetesës?

Praktikisht mënyra nuk ka një minimum zyrtar, por gjithsesi ne po mundohemi përmes pagës minimale të tentojmë ta provojmë. Këto janë kushtet. Ne po mundohemi ta rrisim, pasi edhe në këtë minimum krijohet abuzivitet.

Çfarë masash merren ndaj abuzuesve?

Është inspektorati që merr në dorëzim dosjen përkatëse. Bën konfrontimet me kriteret përkatëse dhe nëse është plotësuar gabim, s’mbetet gjë tjetër, vetëm lë vërejtjet përkatëse deri në paralajmërim për heqje nga puna. Kjo ka të bëjë më shumë me nëpunësin përkatës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›