E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset guvernatori i provincës Khost

Një bombë ka shpërthyer sot para kompleksit të guvernatorit të provincës së Khostit në Afganistan, me ç’rast është lënduar lehtë guvernatori, njoftoi Ministria e Brendshme e Afganistanit.

Shpërthimi theu xhamat e ndërtesës, ndërsa guvernatori Tahër Sabari ka pësuar lëndime nga xhamat e thyer, por nuk ka pësuar lëndime serioze, deklaroi zëdhënësi i ministrisë, Zemeri Bashary.

Khosti është provincë që kufizohet me Pakistanin, rajon ky në të cilin një sulmues vetëvrasës vrau më 30 dhjetor 7 agjentë të CIA-s, në bazën e kësaj agjencie në Khost.

Khosti është një prej provincave më të trazuara të Afganistanit. Të mërkurën, 15 persona pësuan lëndime, pas një shpërthimi që ndodhi para një dyqani në Khost City, kryeqytetin e provincës.

Më herët, tri raketa u shkrepën në drejtim të një zone të banuar në Kabul, me ç’rast u lënduan tre civilë.

Ministria e Brendshme theksoi se dy raketa kanë qëlluar një shtëpi, ndërsa një tjetër ka rënë në oborr. Policia njoftoi se sulmi ka ndodhur në lagjen Qalafa, në juglindje të Kabulit.

Fillimisht, askush nuk mori përsipër përgjegjësinë për këtë sulm në kryeqytetin afgan. Megjithatë, misioni i NATO-s në Afganistan për këtë sulm fajësoi talebanët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›