Ushtria turke thyen heshtjen
Ushtria e Turqisë më në fund theu heshtjen në lidhje me raportet se dy oficerë të saj janë arrestuar, nën dyshimin se kanë përgatitur komplot për të vrarë një zëvendës-kryeministër, duke theksuar se këto raporte ende nuk kanë bazë, pasi që hetimet e policisë nuk janë kryer ende.
Raportet nxitën spekulimet për ashpërsimin e tendosjeve mes partisë me rrënjë islamike, AKP, të kryesuar nga kryeministri i Turqisë, Rejep Tayyib Erdogan dhe forcave të armatosura, të cilat konsiderohen si mbrojtëse të kushtetutës sekulare të Turqisë.
Mediet turke gjatë disa ditëve të kaluara kanë raportuar për arrestimin e dy oficerëve, javën e kaluar në Ankara, por deri në publikimin e kumtesës së ushtrisë, nuk ka pasur konfirmim zyrtar për arrestimin e tyre.
“E vërteta për këtë rast do të kuptohet, vetëm pasi që gjykata të kompletojë hetimet e veta”, u theksua në kumtesën e ushtrisë.
Në kumtesë më tutje u theksua se dy oficerët janë liruar, pas bastisjes së automjeteve dhe shtëpive të tyre.