E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli nuk dëshiron paqe

Presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad, deklaroi se negociatat paqësore me Izraelin kanë ngecur, për shkak se Izraeli nuk është i interesuar për vendosjen e paqes.
Kërkesa e Izraelit për negociata pa kushtëzime, nënkupton se ky vend dëshiron shembjen e procesit paqësor, deklaroi Assad, pas takimit që pati në Damask me kryeministrin e Turqisë, Rejep Tayyib Erdoganin.

“Diskutuam për mënyrat se si duhet ta nxjerrim procesin paqësor nga ngecja, në të cilën është zhytur, për shkak të mungesës së partnerit serioz izraelit, i cili do të synonte vendosjen e paqes”, tha Assad gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Erdoganin.

“Kur Izraeli thotë se dëshiron negociata pa kushtëzime, atëherë kjo do të thotë se dëshiron negociata pa themel. Është kjo njëjtë sikur të ndërtosh një ndërtesë pa themel, e cila është shumë lehtë të rrëzohet dhe ata po tentojnë të shembin procesin paqësor”, shtoi ai.

Negociatat paqësore mes Izraelit dhe Sirisë u shembën në vitin 2000, për shkak të kërkesës së Damaskut që Izraeli të tërhiqet nga Rrafshnalta e Golanit dhe për shkak të akuzave të Izraelit se Siria po armatos grupet militante në Liban dhe Gazë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›