E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident ujor në Filipine, 27 të zhdukur

Ekipet për kërkim dhe shpëtim vazhduan aksionin në ujërat e Gjirit të Manilës, në kërkim të 27 personave të zhdukur, pas përplasjes së një anije të udhëtarëve me një anije për peshkim, njoftoi sot roja detare e Filipineve.

46 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit të anijes së peshkimit u nxorën nga uji dhe u dërguan në selinë e rojës detare në Manilë, deklaroi zëdhënësi i rojës detare, Armand Balilo. Roja detare kërkoi nga anijet në rajon që edhe ato të angazhohen në kërkimin e personave të zhdukur.

Anija e udhëtarëve, e cila po barte 73 udhëtarë, ka qenë duke lundruar nga Manila në drejtim të ishullit jugperëndimor, Mindanao, u fundos menjëherë pas aksidentit, njoftoi Balilo. Anija kishte kapacitet që të bartë 126 persona.

Në anën tjetër, ekipet shpëtimtare arritën që të shpëtojnë që të gjithë 22 anëtarët e ekuipazhit të anijes për peshkim, e cila nuk u fundos pas aksidentit, the Melvin Viola, nga qendra për operacione e rojës detare.

Mbeti i paqartë shkaku i përplasjes mes dy anijeve. Aksidenti ndodhi në momentin kur me miliona filipinezë ishin nisur në drejtim të provincave të tyre, në prag të natës së Kërshëndellave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›