E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulme izraelite në Rripin e Gazës



Avionët izraelitë kanë bombarduar disa objektiva në Rripin e Gazës e për pasojë janë plagosur dy palestinezë. Ky aksion vjen pas goditjes me raketa kasam në territorin e shtetit hebre, që shkaktoi vdekjen e një tailandezi. Avionët izraelitë kanë goditur një godinë në qytetin e Gazës, tre tunele që përdoreshin për kontrabandën e armëve në kufi me Egjiptin, si dhe dy hapësira të hapura. Ndërkaq ushtria nuk ka komentuar lidhur me këto sulme. Dy palestinezët e plagosur gjendeshin në afërsi të njërit prej tuneleve në kufi me Egjiptin, në jug të Rripit të Gazës. Zvkryeministri izraelit Silvan Shalom kishte paralajmëruar se do të kishte një reagim të fortë nëse do të regjistroheshin sulme me raketa nga Gaza. Sulmet me raketa kasam ndodhën gjatë vizitës së ministres së Jashtme të Bashkimit Europian Catherine Ashton në Rripin e Gazës. BE është donatori më i madh i palestinezëve. Ndërkaq kuarteti për Lindjen e Mesme, i përbërë nga Rusia, SHBA, BE dhe OKB, i ka kërkuar izraelit të "ngrijë aktivitetin e zgjerimit të vendbanimeve". Lajmi është bërë i ditur nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon nga Moska, ku u mblodhën përfaqësues të kuartetit. Ndër të tjera zhvillime nga Lindja e Mesme, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka propozuar një sërë masash për të përmirësuar klimën në marrëdhëniet mes Izraelit dhe palestinezëve. Lajmi njoftohet prej mediave izraelite sipas të cilave propozimi ka ardhur në një bisedë telefonike mes sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton dhe kryeministrit Netanyahu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›