Klinton në Moskë: Marrëveshja e re bërthamore, shumë e shpejtë
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka bërë të ditur për arritjen e një përparimi “thelbësor” në lidhje me një marrëveshje të re të çarmatimit bërthamor me Rusinë. Klinton ndodhet në Moskë për një vizitë zyrtare dhe është takuar me homologun e saj, Sergei Lavrov. Pas takimit ajo tha se shumë shpejt do të finalizohet një marrëveshje në lidhje me reduktimin e armëve strategjike. Të dyja vendet po përpiqen që të zëvendësojnë marrëveshjen “Start” të vitit 1991, që skadoi në dhjetor. Klinton do të marrë pjesë edhe sot në Moskë në një takim të vendeve që sponsorizojnë paqen në Lindjen e Mesme. Një nga çështjet e tjera për të cilat Klinton ka shkuar në Moskë është edhe diskutimi në lidhje me çështjen e Iranit dhe të sanksioneve që duhen ndërmarrë ndaj tij. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, tha në një konferencë të përbashkët për shtyp se Moska dhe Uashingtoni do të finalizojnë edhe fazën përfundimtare të marrëveshjes “Start”. “Rezultatet e raundit të fundit të bisedimeve na çojnë të mendojmë se jemi vërtet në fazën e fundit të arritjes së një marrëveshjeje shumë të rëndësishme”, ka deklaruar Klinton. Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se kanë mbi 2000 armë bërthamore në arsenalin e tyre, ndërsa Rusia mendohet që të ketë të paktën 3000. Të dyja palët kanë rënë dakord që të reduktojnë numrin e mbushjeve bërthamore në mënyrë të ndjeshme. Por ndërkohë, për arritjen e këtij objektivi ka pasur mosmarrëveshje në lidhje me verifikimin e masave të ndryshme. Klinton vitin e kaluar tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë punuar shumë për “të ristartuar” marrëdhëniet dypalëshe që gjatë viteve të fundit u dëmtuan shumë. Sipas analistëve të ndryshëm, edhe pse nuk ka një datë të qartë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, të gjithë janë të mendimit se ajo do të nënshkruhet para muajit prill, kur Presidenti amerikan do të organizojë një konferencë shumë të madhe për çarmatosjen bërthamore. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në një situatë shumë më të mirë se një vit më parë, por Obama kërkon që gjithçka të konkretizohet me arritjen e një marrëveshjeje që do të ishte edhe një ogur i mirë për vazhdimësinë e marrëdhënieve.
#