E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulme të koordinuara trondisin Afganistanin

Kryengritës të armatosur dhe të pajisur me breza eksplozivi sulmuan sot disa ndërtesa administrative në Zaranj, në jug të Afganistanit, njoftuan për mediet ndërkombëtare burimet afgane.

"Janë dëgjuar shtatë shpërthime. Policia po lufton me kryengritësit në pesë apo gjashtë pozicione, përfshi këshillin provincial dhe gjykatën", deklaroi guvernatori i provincës Nimroz, duke mos dhënë informacion për viktima të mundshme.

Megjithatë, policia afgane më vonë njoftoi për dy policë të vrarë.

“Pesë sulmues vetëvrasës aktivizuan bombat e tyre përreth zyrës së guvernatorit. Një sulmues vetëvrasës është vrarë nga policia, para se të hidhte vetën në ajër. Janë vrarë edhe dy policë, por numri i të vrarëve mund të shtohet”, tha një zyrtar i policisë, i cili deshi të mbetet anonim.

Talebanët morën përsipër përgjegjësinë për sulmet në Zaranj, kryeqytetin e provincës Nimroz, e cila kufizohet me Helmandin.

“Dërguam gjashtë sulmues vetëvrasës dhe tre sulmues tjerë. Ata kanë sulmuar disa ndërtesa të qeverisë, përfshirë këtu edhe zyrën e guvernatorit. Luftimet janë duke vazhduar”, tha zëdhënësi i talebanëve, Yousuf Ahmadi.

Dëshmitari okular, Ahmed Khan, theksoi se ai ka dëgjuar disa shpërthime dhe të shtëna, të cilat vinin nga drejtimi i zyrës së guvernatorit.

Situata në Nimroz është përkeqësuar, pasi që kryengritësit kanë kaluar nga Helmandi në këtë provincë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›