Sulme të tjera në Siri, 17 të vrarë nga sulmet në Homs

Aktivistët sirianë thonë se së paku 17 persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet e sotme me predha nga forcat qeveritare, të cilat kishin në shënjestër bazat e kryengritësve anti-qeveri në qytetin qendror, Homs.
Aktivistët thonë se regjimi i ka shtuar forcat e tij, duke vendosur tanke, jashtë Homsit, dhe kjo i ka shtuar shqetësimet për një operacion eventual me të cilin do të shkatërrohej qyteti.
Raportohet se mijëra banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre në lagjen Baba Amro të Homsit, për të ikur nga forcat qeveritare.
Qyteti Homs ishte i rrethuar gjatë 18 ditëve të kaluara dhe aktivistët thonë se qindra njerëz janë vrarë nga trupat.
Raportet nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur, pasi regjimi i Sirisë nuk e lejon operimin e mediave të jashtme në këtë vend, që kur ka filluar kryengritja popullore kundër presidentit, Bashar al-Asad, rreth një vit më parë.