KNKK: Armëpushim ditor në Siri

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka kërkuar sot armëpushim , të paktën dy orësh në Siri, për të lejuar ndihmë emergjente për civilët.
Presidenti i KNKK-së, Jakob Kellenberger, tha se situata në viset e goditura, përfshirë edhe qytetin qendror Homs, kërkon ndaljen “e menjëhershme” në luftime.
Aktivistët bënë me dije se të paktën 16 civilë janë vrarë sot nga sulmet me predha të forcave qeveritare kundër bazave anti-regjim në Homs, që ishte i rrethuar për 18 ditë me radhë.
Aktivistët, gjithashtu kanë thënë se sot forcat e sigurisë kanë hapur zjarr në protestën që mbahej në Universitetin e qytetit Alepo, në pjesën veriore të Sirisë.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 6 mijë persona janë vrarë që në fillimin e kryengritjes popullore kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad, para një viti.