E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmet e ashpra të “Borbës” ndaj Enver Hoxhës

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Shërbimi i jashtëm i “Uashington Post”

Beograd, 23 tetor 1957 - Pothuajse tre muaj kanë kaluar që kur nisën sulmet e antisatelitit të fundit në shtypin jugosllav. Më 27 korrik, dy gazetat kryesore të Beogradit, “Borba” dhe “Politika” botuan sulme të ashpra respektivisht kundër Çekosllovakisë dhe Bullgarisë. Që prej atëherë në shtypin jugosllav nuk ka pasur kritika të vendeve të bllokut sovjetik. Përkundrazi, takimi Hrushov-Tito në Rumani (më 2 dhe 3 gusht) ka dhënë frytet e tij të një afrimi gjithmonë e më të madh, i cili kulminoi më 15 tetor me njohjen e shtetit komunist të Gjermanisë Lindore nga Titoja. Tani, sidoqoftë, një sulm i ri botuar në numrin e datës 20 tetor të “Borbës” ndaj Sekretarit të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxhës, ka ngritur edhe një herë tjetër problemin se deri ku ka qenë limiti i Titos për të mos u konfliktuar hapur me vendet komuniste të bllokut sovjetik. Ka një fakt që nuk duhet anashkaluar kur vlerësohet ky shpërthim jugosllav antishqiptar. Sulmi ndaj Enver Hoxhës u shfaq në të njëjtin numër të “Borbës” si dhe artikulli akoma më i ashpër ndaj qeverisë gjermanoperëndimore, që shprehte “çudinë” dhe “indinjatën” ekstreme jugosllave ndaj prishjes së marrëdhënieve diplomatike gjermano-jugosllave. Pjesa më e madhe e gazetave perëndimore e kanë interpretuar njohjen e Gjermanisë Lindore si provën kulminante të marshit mbrapa të Titos për statusin e një sateliti sovjetik. Që prej njohjes së Gjermanisë Lindore nga Titoja erdhi një periudhë përmirësimi gjithnjë e në rritje e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, nga ku nuk është bërë asnjë kritikë e çfarëdollojshme jugosllave për politikat e Moskës, dhe duket shumë e natyrshme të mendosh se lëvizja e Titos ka ardhur pas një kërkese të Hrushovit që të publikonte njëherazi sulmet mbi Gjermaninë Perëndimore dhe Shqipërinë. Kështu regjimi jugosllav do të kërkonte qëllimisht që të minonte këtë kapardisje të tyren ndaj nënshtrimit të Moskës. Duke vendosur një lloj “balance” mes kritikave të Perëndimit dhe Lindjes, udhëheqësit jugosllavë janë përpjekur t i provojnë popullit të tyre gjithashtu, se Jugosllavia po sulmohet pa të drejtë si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja, për shkak të politikave të saj “jashtë bllokut” dhe të mosrreshtimit.
Apel popullit
Sulmi mbi udhëheqësin komunist shqiptar nga komentatori “gjykatës” i Titos, Joze Smole, ka të bëjë me një broshurë nga Enver Hoxha nën titullin “Ndikimi i Revolucionit të Tetorit të Madh” e shtëpisë botuese sovjetike “Gospolitizdat” në Moskë. Kjo broshurë u botua vetëm së fundmi, por me siguri që është shkruar muaj më parë si kontribut i një serie botimesh të veçanta në lidhje me 40-vjetorin e Revolucionit të Tetorit. Sipas Smoles, broshura e Enver Hoxhës është printuar në 100 mijë kopje, edhe pse ajo përfaqëson marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare “në mënyrë të pavërtetë dhe të njëanshme”. Edhe pse përgjigjja e Jugosllavisë ndaj prishjes së marrëdhënieve diplomatike të Gjermanisë Perëndimore me Beogradin dhe sulmit të Smoles mbi Hoxhën janë dy gjëra krejt të kundërta, në të dyja këto ka disa pika që përputhen në mënyrë të çuditshme. Gjermania Perëndimore thuhet se i ka ashpërsuar marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë në të njëjtën mënyrë siç Gjermania në vitet 1914 dhe 1941 sulmonte popullin serb. Në kritikën e Smoles ndaj Enver Hoxhës, theks i vihet faktit që lideri komunist shqiptar e quajti ushtrinë serbe, e cila në vitin 1915 hyri në Shqipëri dhe u tërhoq përpara trupave pushtuese austro-gjermane, “shoviniste” dhe se ajo kishte “qëllime pushtuese”, pasi ishte dërguar nga “qeveria shoviniste e Serbisë” për të “plaçkitur dhe vrarë” gjithçka në “Shqipërinë e mesme dhe veriore”. Në të dyja rastet, udhëheqësit sovjetik kanë tentuar qartazi t i bëjnë apel popullit jugosllav, duke u kërkuar mbështetjen e tyre kombëtare. Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi i Fuqive Qendrore” (Gjermanisë dhe aleatëve të saj) gjatë Luftës rasti kur qeveria jugosllave u fut në telashe edhe kur i nevojitej mbështetje e gjerë popullore. Në sulmin e tij ndaj Hoxhës, Smole mbron “ushtrinë serbe, e cila i rezistoi agresionit gjatë Luftës së Parë Botërore. Në një mënyrë poetike që ka për qëllim të prekë ndjenjat e popullit serb, Smole tregon historinë e “ushtrisë serbe që ka derdhur gjak, ka vuajtur urinë” dhe ka luftuar ushtritë pushtuese austro-gjermane për t u arratisur në Shqipëri, pasi u asgjësuan. “Sidoqoftë, është pikërisht kjo periudhë heroike e popullit serb në vitin 1915 që Hoxha e paraqit si një pushtim të Serbisë kundër Shqipërisë”, - thotë Smole.
Citohen tri pika
Vetëm pas këtij kthimi në të shkuarën Smole nis të kritikojë sjelljen e Hoxhës ndaj marrëdhënieve të tanishme jugosllavo-shqiptare. Nga artikulli i Smoles, dikush merr përshtypjen që fjalët e shqiptuara nga Koca Popoviç (ministri jugosllav i Jashtëm), në 26 shkurt 1957 janë ende të zbatueshme. Duke folur në Asamblenë Kombëtare Jugosllave, Koca Popoviç tha: “Shqipëria është i vetmi vend i kampit socialist që jo për fajin tonë marrëdhëniet nuk janë normalizuar kurrë në të vërtetë, edhe në kohën kur kushtet për ta bërë një gjë të tillë ishin të përshtatshme”... Nëse pas takimit Hrushov-Tito në Bukuresht kushtet për një normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Tiranës nuk ishin të përshtatshme, atëherë kur mund të ishin? Tri pika në broshurën e Hoxhës kanë shqëtësuar veçanërisht Smolen. 1) Trajtimin e Hoxhës të “titistit” shqiptar të ekzekutuar, udhëheqësit Koçi Xoxe. 2) Problemi i revizionistëve dhe 3) interpretimi i marrëdhënieve të tanishme jugosllavo-shqiptare. Për sa i përket pjesës së Koçi Xoxes, - shkruan Smole, “pjesa e broshurës që ka të bëjë me të meriton kujdes të veçantë. Nga kjo pjesë kuptohet se Hoxha ka qëndruar në të njëjtat pozita të vjetra si në kohën kur Xoxe u eliminua. Ashtu siç dihet, gjyqi i Xoxes (1949) ishte një çështje e paramenduar antijugosllave. Mes gjërave të tjera Hoxha shkruan se Partia e Punës e Shqipërisë ka çjerrë maskën e veprimeve të pabesa të bandës së Xoxes që tentoi të shkatërronte unitetin e Partisë dhe ta transformonte atë nga një parti marksiste-leniniste, në një parti borgjeze...” Smole e kritikon gjithashtu Hoxhën për “mënyrën false dhe jodobiprurëse” se si ai i afrohet marrëdhënieve aktuale shqiptaro-jugosllave. “Partia Shqiptare e Punës ka mbajtur një sjellje marksiste-leniniste kundrejt marrëdhënieve me fqinjët tanë jugosllavë”, - shkruan Hoxha në broshurë. Pasi thotë se gabime janë bërë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, Hoxha shton: “As populli shqiptar dhe as Partia Shqiptare e Punës, nuk ka qenë për të përkeqëuar marrëdhëniet me Jugosllavinë... Sidoqoftë, shumë prej kësaj ka pasur lidhje me sjelljen e liderëve jugosllavë, të cilët duhet të kishin bërë të njëjtat përpjekje”. Smole komentoi në këtë rast: “Nga citimiet e sipërpërmndura, gjithashtu edhe nga e gjithë broshura, vetëm një përfundim mund të dalë: Enver Hoxha nuk i qaset problemit të marrëdhënieve me Jugosllavinë në një mënyrë dobiprurëse. Me paraqitjen e pavërtetë dhe të njëanshme të gjërave, Enver Hoxha vazhdon rrugën e tij, që është ajo e kundërshtimit të shpirtit të ri të lëvizjes punëtore ndërkombëtare”. Ashtu siç u tha, u duk sikur broshura e Hoxhës ishte shkruar disa kohë përpara afrimit mes Moskës dhe Beogradit. Dihet sidoqoftë, se liderët jugosllavë, Aleksandër Rankoviç dhe Eduard Kardeli kanë kryer bisedime me Enver Hoxhën në Moskë në gjysmën e dytë të muajit korrik. Nëse ata ranë dakord që marrëveshja e “mossulmimit” dhe akoma më tepër nëse Hrushovi dhe Tito kishin i premtuar njëri-tjetrit që të mos lejonin kritika mes Jugosllavisë dhe bllokut sovjetik, atëherë përse sovjetikët nuk e parandaluan botimin e broshurës së Hoxhës që është botuar në rusisht në Moskë dhe ku Hrushovi dhe Titoja trajtohen si “shpirtra të vjetër”? A mos ndoshta ky është një gabim burokratik? Në çdo rast ai ka mundëusar Titos për t u shfaqur përpara popullit të tij që po sulmohet si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja.
Ky lajm është publikuar: 06/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›