E Diel, 1 Nëntor 2026

Papandreu, 160 vende për të nxjerrë Greqinë nga kriza

Autori i Lajmit: red.
Zgjedhjet në Greqi

Athinë - Një skenë të re politike në Greqi treguan zgjedhjet e datës 4 tetor. Me fitoren e madhe të Lëvizjes Panhelenike Socialiste (PASOK) dhe zgjedhjes Kryeministër i Greqisë të Jorgos Papandreut, por edhe me dorëheqjen e kryetarit të partisë Demokracia e Re, Kostas Karamanlis, nga ky post, përfunduan në datën 4 tetor zgjedhjet për deputetë që u zhvilluan në Greqi. Sipas rezultateve (99 %) të tyre, PASOK-u kryeson me 43,9% dhe zgjedh automatikisht 160 deputetë në Parlament, Demokracia e Re 33,4% merr 91 deputetë, Partia Komuniste Greke (KKE) 7,5%, merr 21 deputetë, LAOS 5,6%, merr 15 deputetë, Koalicioni i së Majtës Radikale (SYRIZA) 4,6% merr 13 deputetë dhe Ekologët – Të Gjelbrit 2,5% nuk kanë arritur pragun (3%) dhe nuk hyjnë në Parlament. Kryetari i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, në Pallatin Zapio pas komunikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ftoi të gjithë shtetasit grekë dhe forcat progresive të vendit, të bashkohen me PASOK-un në një ecuri të re për Greqinë, në një përpjekje kombëtare me pikësynim të vetëm, shtetasin grek dhe problemet e vendit. “Sot ndryshojmë drejtimin e ecurisë për Greqinë dhe jetën e të gjithë popullit grek”, - theksoi z.Papandreu, duke shënuar se kërkesa e popullit grek ishte “që së bashku të ndryshojme vendin”. Ai theksoi gjithashtu se në këtë përpjekje nuk do të jetë e lehtë. Papandreu tha se nevojitet punë e madhe dhe u angazhua se do të jetë i sinqertë me popullin. “Nuk kërkoj tolerancë, kërkoj pjesëmarrje”, - tha kryetari i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, dhe vuri në dukje se Greqia ka mundësi shumë të mëdha, të cilat fshihen nën paligjshmërinë, korrupsionin dhe shpërdorimin. Ai premtoi se do të përdorë të gjitha forcat e tij “në mënyrë që grekët të besojnë se do t ia arrijmë qëllimit”. Z.Papandreu foli gjithashtu për punë të përbashkët dhe theksoi se nuk duhet të humbasë asnjë ditë. Në fund ai ftoi grekët të marrin pjesë në përpjekjen e ndryshimit të faqes së historisë dhe ftoi forcat përparimtare të vendit të bashkohen me PASOK-un “për një shoqëri të drejtë, për një Greqi që do të na bëjë krenarë të gjithëve”. Liderët botërorë kanë nxituar të urojnë Papandreun, i cili ka marrë telegrame nga Kryeministri spanjoll, Jose Luis Zapatero, socialistja franceze Segolene Royal, kreu i Shtëpisë së Bardhë, Barak Obama, etj. Parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 4 tetorit, do të ketë në përbërjen e vet po ato parti që ishin në legjislaturën e kaluar. Tri partitë më të vogla, ajo komuniste, koalicioni i majtë dhe partia e djathtë LAOS, e kanë rritur numrin e deputetëve, në sajë të ligjit favorizues elektoral që u zbatua për herë të parë në këto zgjedhje.
Kush do ta pasojë Karamanlisin?
Dorëheqjen e tij nga udhëheqja e partisë Demokracia e Re e komunikoi menjëherë pas humbjes së madhe të partisë së tij vetë Kryeministri dhe shefi i Demokracisë së Re, Kostas Karamanlis. Me deklaratën e tij në Pallatin Zapio, z.Karamanlis mori të gjithë përgjegjësinë për humbjen e partisë në zgjedhje, duke njoftuar paralelisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë në kongresin e jashtëzakonshëm pas një muaji dhe ku ai nuk do të jetë kandidat. Z.Karamanlis falënderoi shtetasit grekë që ndihmuan partinë Demokracia e Re dhe theksoi se paraqiti me shumë sinqeritet vendimet dhe masat e vështira që duhet të merren për ekonominë. Ai përshëndeti Kryetarin e PASOK-ut për fitoren e tij dhe i uroi sukses në detyrën e tij të re, sepse siç tha, sfida për ekonominë është çështje kombëtare. Ndër kandidaturat e spikatura që mund ta pasojnë në krye të DR-e është ministrja e Jashtme, (ende në detyrë) Dora Bakojanis apo ministri i Kulturës, Samaras.

Jorgos Karaxhaferis
“Arritëm objektivin tonë”
I kënaqur nga përqindja që mori partia e tij u shpreh dhe kryetari i Alarmit Ortodoks Popullor (LAOS), Jorgos Karaxhaferis, i cili tha se ishte një humbje e rëndë për partinë qeveritare të DRe-së dhe uroi Kryetarin e PASOK-ut për fitoren e tij elektorale. “Është e qartë se harta politike ndryshoi. Z. Papandreu është fituesi. E urojmë. DRe-ja pësoi një humbje të rëndë. Është e qartë se do të kalojë një periudhë të vështirë, brenda saj. Ne arritem objektivin tonë që ishte zgjedhja e 15 deputetëve, numer ky i domosdoshëm për të kërkuar votimin me emër në Parlament”, - tha kryetari i LAOS, që është partia e katërt në Parlament.
Aleka Papariga
“Ndryshoi kapiteni, por kursi i anijes është i njëjti”
Rezultati elektoral, që tregon humbjen e rëndë të partisë qeveritare të DRe-së dhe fitorja e partisë opozitare më të madhe të PASOK-ut, nuk regjistron ndryshimet pozitive që janë bërë në ndërgjegjen e popullit, gjatë viteve të qeverisjes së DRe-së dhe PASOK-ut, deklaroi sekretarja e përgjithshme e Partisë Komuniste Greke(KKE), Aleka Papariga. “U zëvendësua kapiteni, por kursi i anijes është i njëjti”, - deklaroi znj.Papariga, duke shtuar se vjen një shtrëngatë masash kundërpopullore dhe “KKE-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë për një front unik, i cili do të përfshijë shtresat popullore, fermerët e vegjël dhe dyqanet e vogla”. Ajo theksoi gjithashtu, se KKE-ja do të ndihmojë në vendosjen e mëtejshme të vijës ndarëse midis monopoleve dhe popullit dhe do të jetë “në vijën e parë të përpjekjeve për pengimin e më të këqijave dhe rivendikimin e zgjidhjeve për lehtësimin e popullit nga gjendja e sotme”.
Ky lajm është publikuar: 06/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›