Sulmet militante në Nigeri, presidenti shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Nigeri- Presidenti nigerian Goodluck Jonathan ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme në tre shtete, pas një serie sulmesh vdekjeprurëse nga grupet islamiste militante.
BBC-ja citon zotin Jonathan duke thënë se ushtria do të marrë “të gjithë veprimin e nevojshëm” për t’i “dhënë fund një mosndëshkimi të kryengritësve dhe terroristëve” në Borno, Adamawa dhe Yobe.
Zoti Jonathan urdhëroi gjithashtu më shumë trupa ushtarake të dërgohen në shtetet verilindore.
Militantët nga Boko Haram janë fajësuar për shumicën e dhunës, e cila ka lënë 2,000 njerëz të vdekur që nga viti 2010. Grupi islamik, emri i të cilit do të thotë “Edukimi perëndimor është i ndaluar” në gjuhën lokale Hausa, është duke luftuar për të përmbysur qeverinë dhe për të krijuar një shtet islamik në veri.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme, por ky është një pranim i qartë se kërcënimi nga militantët islamikë është në rritje. Dhe kjo është hera e parë që zoti Jonathan ka pranuar se pjesë të vendit nuk janë më nën kontrollin e qeverisë qendrore.
Javën e kaluar, Jonathan ndali një udhëtim të shkurtër në Afrikën e Jugut për t’u marrë me dhunën në rritje në vend.
Dorina Bilbili/IDEA/