“Sulmet nuk ju gjunjëzuan, vlerat që prezantoni janë model frymëzimi për Tiranën dhe qytetarët e saj”

Kryebashkiaku Lulzim Basha, mesazh homologut të tij të Nju Jorkut, Bloomberg
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i dërgoi dje një letër kryebashkiakut të Nju Jorkut Michael Bloomberg me rastin e 10 vjetorit të sulmit terrorist mbi Qendrën Botërore të Tregtisë (WTC). Në letrën e tij, kryebashkiaku Basha thekson se e gjithë bota u trondit nga sulmi terrorist në Nju Jork dhe se qytetarët e Tiranës u solidarizuan dhe u bashkuan me dhimbjen e kombit amerikan, si dhe të familjarëve të 3 mijë viktimave. Kryebashkiaku Basha shprehet i bindur se sot, 10 vjet pas 11 shtatorit, qytetarët e New Yorkut dhe populli amerikan janë më të fortë dhe kanë më shumë miq se më parë ndërsa thekson se në emër të qytetarëve të Tiranës, bashkohet me ata në përkujtimin dhe nderimin e viktimave të 11 shtatorit dhe në shprehjen e solidaritetit me familjarët e tyre.
Letra e kryetarit të bashkisë Lulzim Basha drejtuar homologut të tij të New York-ut, Michael Bloomberg
I nderuar Kryetar i Bashkisë së New York Michael Bloomberg
10 vjet më parë, e gjithë bota u trondit nga sulmi terrorist në qytetin tuaj. Qytetarët e Tiranës u solidarizuan dhe u bashkuan me dhimbjen e kombit tuaj, si dhe të familjarëve të 3 mijë viktimave. Ne e dimë se ai ishte një sulm ndaj gjithçka që New York përfaqëson, si simbol i sipërmarrjes, kulturës dhe suksesit të lirisë amerikane. Jemi gjithashtu dëshmitarë se pavarësisht dëmit të shkaktuar, sulmi i 11 shtatorit nuk i gjunjëzoi aspak vlerat që ju prezantoni, vlera të cilat janë një model frymëzimi për qytetarët dhe Bashkinë e Tiranës. Sot, 10 vjet pas 11 shtatorit, jam i bindur se Ju, qytetarët e New York dhe populli amerikan jeni më të fortë dhe keni më shumë miq se më parë. Në emër të qytetarëve të Tiranës, bashkohem me ju në përkujtimin dhe nderimin e viktimave të 11 shtatorit dhe në shprehjen e solidaritetit me familjarët e tyre. Njëkohësisht shpreh bindjen se ky 10 vjetor e gjen qytetin tuaj të mrekullueshëm dhe qytetarët e New York, më të vendosur se kurrë në afirmimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e qyteti tuaj, vlera që përbëjnë një frymëzim të kahershëm dhe konstant për Tiranën dhe qytetarët e saj.
Me respekt,
Lulzim Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës