E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Birra Korça”, gati strategjia e re evropiane

 

NERTILA MAHO

“Kam punuar në të gjithë botën në industrinë e birrës për më shumë se 30 vjet. Kam hasur shumë lloje të ndryshme birre dhe mund të them se “Birra Korça” i përket cilësisë më të lartë”. Ky është mendimi i një specialisti ndër më të njohurit dhe padyshim, ndër më të mirët në Shqipëri. Danezi, Jens Erik Holmsgaard, prej nëntorit të këtij viti, është drejtori i ri i “Birra Korça”. Në një intervistë për gazetën, Holmsgaard, tregon për strategjinë e re që do të aplikohet në menaxhimin e prodhimit më të vjetër “Made in Albania”, “Birra Korça”. Bordit i është shtuar edhe specialisti i marketingut Johan Fungemann, të cilët do sjellin në Shqipëri eksperiencën e tyre disavjeçare në industrinë e birrës, duke punuar për disa nga kompanitë më të mëdha në botë. Çfarë mendon ai për cilësinë dhe mundësitë e reja për të synuar tregjet ndërkombëtare. Si do aplikohet në tregun vendas eksperienca 30-vjeçare e një drejtuesi të huaj në një kompani shqiptare.
Pse zgjodhët Shqipërinë për të punuar?
Në fakt, fillimisht kam takuar Z. Irfan Hysenbelliu jashtë Shqipërisë. Patëm disa takime dhe ai më tha: “Pse nuk vjen njëherë në Shqipëri të vizitosh fabrikën e ‘Birra Korça’”. Shpeshherë kam dëgjuar të flitet nga kolegët e mi profesionistë për “Birra Korça”. Jo vetëm për cilësinë e saj, por edhe për investimin. Kështu që erdha këtu në fund të shtatorit. Ishte kontakti im i parë me këtë vend dhe vizitova fabrikën në Korçë, u mahnita nga investimi i saj, një ndërthurje e historikes dhe bashkëkohores. Gjatë ditëve të qëndrimit vizitova edhe tregun e “Birra Korça”, ku konstatova që jo vetëm është birra e parë shqiptare, por është edhe më e mira. Mund të themi se ishte një koincidencë fakti që takova z. Hysenbelliu, por kur pashë potencialet dhe mundësitë këtu në Shqipëri mendova se kisha një sfidë dhe një shans për të bërë diçka të mirë. Kështu që mora parasysh sfidën dhe erdha në Tiranë në datën 2 nëntor për të drejtuar “Birra Korça”.
Ç’mendoni lidhur me Birrën Korça? Po për cilësinë e saj ç’mund të thoni?
Cilësia në fakt është e shkëlqyer. Kam punuar në të gjithë botën në industrinë e birrës për më shumë se 30 vjet. Kam hasur shumë lloje të ndryshme birre dhe mund të them se “Birra Korça” i përket cilësisë më të lartë. Edhe në perspektivën ndërkombëtare nuk ka dyshim për këtë. Shoh potenciale të mëdha tek kjo birrë. Nuk do të isha këtu nëse nuk do të shihja këtë fakt.
Po lidhur me perspektivën? Mendoni se “Birra Korça” është e aftë të konkurrojë në tregjet jashtë Shqipërisë. Mundësitë për eksport?
Për vetë cilësinë e shkëlqyer  të kësaj birre mendoj se ka potencial për eksport të saj në vendet fqinje si Itali, Maqedoni, Greqi dhe mbase edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si kanë shkuar gjërat në tregun shqiptar për “Birra Korça” që nga koha kur ju keni filluar të punoni këtu?
Koha ime këtu është shumë e shkurtër. Mund të them se nuk jemi më të mëdhenjtë në treg për sa i përket volumit, por ama jemi më të mirët duke e parë nga këndvështrimi i cilësisë. Kemi objektiva shumë ambicioze për rritjen e shitjeve dhe unë sapo kam ardhur menjëherë kam riorganizuar “Birra Korça”. Tashmë i kemi shtuar stafit disa njerëz të rinj përveç meje siç janë drejtori i ri i shitjeve, një person shumë dinamik. Mund të them me plot gojë se kemi një organizim më të strukturuar, i cili është i rëndësishëm për të arritur objektivat që kemi vendosur. Ajo që po bëjmë aktualisht është riorganizimi i departamentit të shitjeve. Siç mund ta keni vënë re tek gazeta “Panorama”, ne po kërkojmë për promotorë të rinj shitjeje, menaxherë  rajonalë dhe kjo është vetëm një pjesë e riorganizimit të kompanisë.
Diçka për eksperiencën tuaj?
Jam diplomuar si specialist i birrës pothuajse 30 vjet më parë. Kam pasur një eksperiencë të gjerë dhe të suksesshme në industrinë e birrës dhe të pijeve të tjera ku mund të veçoj “Carlsberg” dhe “Coca-Cola”.
Cila është strategjia që po ndiqni për të bërë “Birra Korça” më të suksesshme në treg? Gjërat që po ndryshoni duke filluar nga kompania e deri tek marketingu e imazhi?
Siç ju përmenda edhe më lart, birra në vetvete është e cilësisë më të lartë dhe për këtë nuk do të ndryshojë asgjë. Por kemi një projekt bashkangjitur për të lançuar produkte të reja. Ajo që po ndryshojmë aktualisht ka të bëjë me organizimin të fokusuar drejt konsumatorit. Në këtë kuadër marketingu dhe strategjia e shitjes do të jenë më të fokusuara dhe më profesionale. E them me bindje këtë pasi do të asistohen nga Z. Johan Fugmann i cili sjell në Shqipëri suksesin e eksperiencës së tij ndërkombëtare, veçanërisht në kompaninë Carlsberg. Pra, çështja është që ne thjesht duhet të bëhemi më të dukshëm dhe më prezent.
Mund të na thoni diçka lidhur me vizionin dhe riorganizimin që po bëni në kompani?
Lidhur me organizimin e ri po kërkojmë për njerëz të rinj dhe ambiciozë që duan të rriten në kompani, në u japim mundësi të zhvillohen profesionalisht. Ambiciozë, dinamikë dhe të rinj, këta janë personat që po afrojmë aktualisht.
Diçka për Shqipërinë. Çfarë ju ka bërë përshtypje?
Hera e parë që erdha në Shqipëri ishte në shtator dhe duke pasur parasysh këtë mund të them se jam i ri në vend.  Po për kaq kohë sa kam mund të them se shoh shumë gjëra të ndodhin. U surprizova nga dinamika e Tiranës, të rinj, shumë bare e restorante dhe makina luksoze. E gjithë kjo, padyshim  ka qenë një surprizë për mua. Më kujton Italinë. Dua të përmend edhe faktin që keni një natyrë shumë të bukur. Në fund vlen për t’u theksuar se gjithçka që kam parë në Shqipëri ka qenë një surprizë pozitive, me njerëz pozitivë dhe një frymë biznesi pozitiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›