E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti dhe efekti i tij bumerang

Edmond Panariti 

Bumerangu, është një vegël e epokës së gurit në trajtë shkopi të përkulur, e përdorur nga banorët aborigjenë të Australisë për të goditur viktimën (shpend) në fluturim e sipër.
Hedhja e tij synon të godasë viktimën, por në rast se nuk ja arrin qëllimit, atëherë shkopi pasi përshkon një trajektore gjysmërrethore i kthehet me forcë atij që e lëshoi.
Bojkoti, si mjet i luftës politike, është në thelb po aq primitiv sa edhe bumerangu si mjet gjuetie.
Kjo sepse bojkoti, synon të paralizojë institucionet duke pretenduar delegjitimimin e tyre. Bojkoti është një lloj “stërkëmbëshi” ose levë obstruksioniste, e cila llogarit arritjen e një qëllimi afatshkurtër, në kurriz të një pasoje afatgjatë.
Bojkoti i Parlamentit e ka futur opozitën në “syrin e ciklonit” apo në “ciklin e djallit” nga i cili ajo mund të dalë, vetëm andej nga ku ajo u fut, pra duke e ndërprerë bojkotin menjëherë.
Është shumë e trishtueshme, të shohësh se si një parti i  konformohet “alibisë së mos-humbjes” dhe instrumentalizohet për t’u shndërruar në një gjyle topi për të goditur institucionet e ligjshme të vendit.
Stabiliteti dhe konsolidimi i institucioneve të një vendi janë treguesit e një demokracie funksionale dhe goditja e tyre prodhon  vetëm kaos dhe anarki.
Bojkoti është një metode leniniste, e cila është dënuar si nga institucionet ndërkombëtare ashtu edhe nga mendimi i shëndoshë intelektual brenda vendit, sepse ai synon përmbysjen e institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Thjesht, bojkoti synon turbullimin e situatave për të krijuar kushtet për marrjen e pushtetit në rrugë të jashtëzakonshme. Por duhet mbajtur parasysh se bojkoti është një “bumerang” politik për përdoruesit e tij, sepse duke krijuar një precedent “revolucionar” rrezikon t’i nxjerrë edhe në të ardhmen të gjitha zhvillimet politike jashtë normalitetit për t’i futur në vorbulla pa krye.
Opozita duhet të mendojë seriozisht për një strategji “daljeje” përpara se situata të precipitojë në zhvillime, të cilat rrezikojnë ta bëjnë atë historikisht përgjegjëse ndaj popullit shqiptar.
Tek e fundit “agjërimi” parlamentar i opozitës do t’i tretë muskujt e aksionit të saj politik dhe do ta dobësojë atë shumë.
Dalja nga situata njeh vetëm një rrugë, rikthim të opozitës në Kuvend dhe shfrytëzimin e të gjitha hapësirave ligjore dhe institucionale për të imponuar kërkesat e saj. Sa më parë ta bëjë këtë, aq më mirë do të jetë për të dhe për interesat e vendit. Për fat të keq po shihen edhe përpjekje për eksportim të tensioneve artificiale dhe të gjurrulldive të parafabrikuara edhe jashtë vendit. Kjo është në dëm të interesave të Shqipërisë. Interesat partiake apo të individëve të veçantë, nuk duhet të vendosen mbi shpinën e interesave të qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë duhet së fundmi të kuptojnë se ka një kufi për çdo gjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›