E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arsimi i lartë,si do ndryshojë skema e financimit”

 

zirina llambro

Një skemë e re financimi, që pritet të ndryshojë kryekëput funksionimin e arsimit të lartë në vendin tonë. Qasje më pranë studentit, mbi bazën e modeleve të suksesshme që aplikohen sot në botë. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ministri i Arsimit dhe i Shkencës Myqerem Tafaj, shpjegon si do të zbatohen këto ndryshime. 
Zoti ministër pak kohë më parë në një deklaratë tuajën përmendet aplikimin e një skeme të re të financimit në arsimin e lartë, cilat do të jenë konkretisht ndryshimet që do të sjellë ajo?
Skema e re e financimit të arsimit të lartë është një projekt afatmesëm, që duhet të realizohet brenda këtij mandati. Ne jemi vetëm në hapin e parë, çka do të thotë që ne jemi vetëm në fazën e studimit të modeleve të vendeve të tjera. Deri tani është ngritur grupi i ekspertëve, i cili do të projektojë dhe implementojë këtë skemë, pra këtë model, por edhe që do të prodhojë edhe aktet ligjore dhe nënligjore. Eshtë vetëm fillimi. Në thelb na duhet një model i financimit të arsimit të lartë, i cili e stimulon partneritetin publik – privat në arsimin e lartë, inkurajon zhvillimin e arsimit të lartë privat dhe ajo që është shumë e rëndësishme krijon hapësirë të plotë për një konkurrencë të hapur dhe të mirëfilltë midis arsimit publik dhe arsimit privat të mbështetur në cilësi. Ka modele të ndryshme në botë. Ne po përpiqemi të studiojmë modele të vendeve që kanë një peizazh të arsimit të lartë afërsisht me ne, në mënyrë që modeli të jetë sa më i përshtatshëm dhe realist për kushtet tona. Janë disa vende në Evropë që kanë shkuar në një model shumë të avancuar siç është Lituania, model që e çon financimin kryesisht tek studenti dhe jo më në një buxhet vetëm për shkollat publike.
Polonia është një vend tjetër, që ka një përqindje të lartë të studentëve në shkollat private në krahasim me numrin total të studentëve, që është rreth 27%. Do të studiohet edhe modeli i Polonisë. Ekziston një model tjetër në Kili, i cili është shumë i suksesshëm, një model që ka stimuluar thithjen e një pjese shumë të madhe të investimit privat edhe në arsimin publik. Janë pra disa modele të ndryshme. Grupi i ekspertëve që tashmë është ngritur do t’i studiojë këto modele. Ne do të kemi dhe ekspertizën, mbështetjen me asistencë nga ekspertë të huaj, kryesisht në kuadrin e projektit tonë me Bankën Botërore dhe mbi bazën e të gjithë kësaj veprimtarie shpresojmë të arrijmë në një projektligj. Ne do të ishim shumë të suksesshëm, nëse deri në fund të vitit 2010 do të arrijmë të kemi në Parlament këtë projektligj, i cili do të jetë një projektligj specifik vetëm për financimin e arsimit të lartë në Shqipëri.
A do të duhet kohë për të vënë në jetë këtë projekt të ri dhe a do të ndërhyhet në ligjin për arsimin e lartë?
Kjo reformë e kushtëzon një ndryshim rrënjësor të të gjithë arsimit të lartë, të paktën në kapitujt që kanë të bëjnë me financimin dhe qeverisjen. Unë nuk jam i sigurtë nëse ne do të presim të përfundojmë të dy projektligjet njëherësh, ose më saktë do të presim t’i dërgojmë të dy ligjet njëherazi në Parlament. Ndoshta mund të bëjmë disa ndryshime në Ligjin e arsimit të lartë që kanë të bëjnë më çështje të tjera, kryesisht akademike dhe ndryshimet që kanë të bëjnë me modelin e financimit dhe qeverisjen e universiteteve të kushtëzuar nga modeli i financimit. Do të jenë ndryshime që do të bëhen në të njëjtën kohë me projektligjin për financimin, sepse implementimi i një modeli vetëfinancimi është i pamundur dhe i pandarë nga hapësira reale institucionale dhe qeverisëse që kanë universitetet publike në këtë rast.
Buxheti i shkollave të larta nga sa jeni shprehur ju, me mënyrën e re të financimit do të varet nga numri i studentëve që do të  “rekrutojnë” universitetet, ky do të jetë kushti i vetëm për shpërndarjen e fondeve apo do të ketë dhe të tjerë?
Së pari, dëshiroj të qartësoj buxhetin aktual. Ne kemi implementuar një formulë të re të planifikimit dhe realizimit të buxhetit në arsimin e lartë publik në vitin 2009.
Sipas kësaj formule, numri i studentëve është treguesi kryesor, por janë disa koeficiente ose tregues të tjerë, që konsideron formula, për të përcaktuar buxhetin, i cili i takon çdo shkolle të lartë publike, duke presupozuar këtu transfertën e pakushtëzuar, e cila ka të bëjë me fondin e pagave dhe shpenzimet korrente, por nuk ka të bëjë më investimet. Në modelin aktual, fondi i pagave dhe shpenzimeve koriente i jepen universiteteve në bazë të numrit të studentëve, pedagogëve, nivelit të punës kërkimore-shkencore e shprehur kjo në një koeficient. Ka edhe koeficiente të tjerë për shembull, ai i stimulimit për universitetet rajonale.
Ndërsa investimet në skemën aktuale të buxhetit janë të gjitha në një vend dhe ka një komitet, pra janë në formën e një granti, që akordohet për të gjithë arsimin e lartë publik dhe komiteti që administron grantin vlerëson projektet që paraqesin universitetet. Çka nënkupton që universitetet me projekte të suksesshme janë po aq të suksesshëm në thithjen e investimeve. Universitetet që nuk i kanë investimet e mira nuk mund të përfitojnë dhe kjo është një garë. Modeli i ri është sigurisht një hap shumë më i madh përpara, sepse nuk ka të bëjë vetëm me arsimin publik, por ka të bëjë edhe me arsimin privat, duke krijuar një situatë krejt të re.
Në deklaratën tuaj u përmend edhe dhënia e kredive për studentët, ku shteti do të marrë përsipër interesin, si do operohet në këtë kuadër konkretisht?
Ky është një model që përdoret në disa vende, madje shumë vende në Evropë e përdorin këtë. Ndërhyrja e shtetit është shumë e ndryshme. Ka shtete që marrin përsipër të gjithë interesin e kredisë, ashtu sikur ka edhe shtete që marrin përsipër vetëm një pjesë të interesit të kredisë. E citova më sipër, ne do të studiojmë modelet dhe do të përpiqemi të gjejmë një model, i cili i përshtatet mirë kushteve tona. Modeli nuk duhet të diskriminojë në asnjë rast studentët e varfër, por ai nuk duhet të diskriminojë në asnjë rast edhe studentët e shtresës së mesme edhe studentët që vijnë nga familje me mundësi më të mira financiare, por edhe studentët e talentuar. Pra, modeli duhet t’u përgjigjet të gjithë këtyre grupeve dhe shtresave të studentëve çka nuk është e lehtë dhe e komplikon modelin, ndërsa ne duhet ta realizojmë këtë, sepse në të kundërt shkelim kushtin tonë të parë në arsim: akses, pjesëmarrje në arsimin e lartë pavarësisht nga statusi social.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›