E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etje për seriozitet dhe dinjitet

Ylber Lili 

Në kontekstin e ri historik,  Ballkani Perëndimor ndan të njëjtin fat për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike: standardet. Sidoqoftë, secili shtet ka disa veçori që e bëjnë të dallueshëm nga njëri-tjetri. Dikush duhet të pastrohet nga pluhuri i hegjemonizmit (Serbia). Maqedonia duhet të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë dhe problemet ndëretnike, një tjetër shtet duhet të hedhë shtat (Mali i Zi). Kosova duhet të bindë faktorin ndërkombëtar se është e aftë të ndërtojë dhe fuqizojë institucionet demokratike. Ndërkaq, Bosnja mbetet një problem më vete nga pikëpamja shtetformuese. S’do mend që formati i këtij rajoni nuk ka kuptim pa Shqipërinë dhe Kroacinë, që bëjnë diferencën nga shtetet e tjera, ngaqë janë anëtare të NATO-s. Por, edhe në këtë rast, realpolitika ka menduar për baraspeshën duke u ofruar shteteve të sipërcituara, liberalizimin e vizave, përveç Kosovës dhe Bosnjës. Marrë në tërësi, vendet e rajonit,  megjithëse kanë një mal me telashe mbi krye, në momente të caktuara dinë të tregohen qoftë edhe për imazh, serioz dhe dinjitoz. Ata, kryesisht në raste përvjetoresh, jubilesh, ngjarjesh historike, apo festash kombëtare investojnë të gjithë së bashkë për uljen e tensioneve politike, për zbutjen e krizave që i shoqërojnë gjithë kohën, etj. Ndonëse janë shtete që shquhen për politika amatoreske, nacionaliste e shoviniste, megjithëse shkalla e krizave është në nivele të larta, politika e atyre vendeve nuk guxon t’i japë shkelmin ndjeshmërisë dhe peshës që kanë ngjarje të rëndësishme me përmasa kombëtare për popullin dhe kombin. Madje, ata i shfrytëzojnë këto momente për të dëshmuar dinjitet, seriozitet shtetëror dhe kombëtar deri në glorifikim.
* * *
Në kushtet aktuale, shtrohet pyetja: Në çfarë nivelesh ndodhen institucionet tona shtetërore, partiake, media dhe shoqëria civile për të promovuar seriozitet dhe dinjitet kombëtar? Për të dhënë një përgjigje të arsyetuar logjikisht mjafton të analizojmë dy momente me përmasa historike. Ende është i freskët anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë në NATO. Natyrshëm emëruesi i përbashkët e dy shteteve ishte aderimi, ndërkaq nga pikëpamja e seriozitetit dhe dinjitetit politik e shtetëror( imazhit), pati diferenca të mëdha. Politikanët, qeveritarët dhe shtetarët tanë e transferuan konfliktualitetin politik dhe mosdurimin e njëri-tjetrit edhe në Bruksel. Natyrisht jo përmes fjalës, gjuhës së ashpër, por në sajë të imazhit-fotografisë. Në kësi rastesh, kur është në pyetje dinjiteti dhe serioziteti politik e shtetëror, fjala dhe imazhi pothuajse kanë të njëjtin funksion.
Axhenda e përfaqësimit, udhëtimi dhe pritja e firmës së anëtarësimit la shumë për të dëshiruar. Sakaq kroatët megjithëse vuanin krizën e thellë politike, kontradiktat i lanë në shtëpi. Ata u paraqitën në Bruksel unik. Në atë kohë edhe mediat kishin qasje të ndryshme. Për ditë të tëra  media jonë u eklipsua  nga yshtja e politikës deri në mitizimin e ngjarjes historike. Ndërsa mediat kroate si kryelajm kishin prezantimin dinjitoz të përfaqësuesve politike, institucional dhe shtetëror në Bruksel. Pra, kroatët kuptuan që inatet, mllefi, komunikimi i ashpër politik, antagonizmat e thellë mes institucionit të presidencës dhe qeverisjes e ka një masë. Presidenti dhe kryeministri kroat gjatë qëndrimit në Bruksel lanë të kuptojnë se imazhi i vendit të tyre është shumëfish më i rëndësishëm sesa zënkat, grindjet dhe mosmarrëveshjet e thella.
* * *
Nga kjo distancë kohore pak kush mund të mendonte se në Shqipëri historia e konfliktualitetit politik mund të përsëritej në një tjetër kontekst me peshë historike. Nga kjo pikëpamje, mjafton të analizojmë përvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Si asnjëherë më parë festa kombëtare u relativizuan në përmasa absolutisht qesharake. Shikuar nga forma dhe përmbajtja më shumë rëndësi dhe peshë i është dhënë ditës së “ballokumeve”, apo “natës së bardhë” sesa FESTËS SË KOMBIT. Më shumë seriozitet dhe respekt i është dhënë një koncerti ku dominon kiçi sesa ditës së pavarësisë. Qindra herë më shumë janë shpenzuar para për takim me zgjedhësit në një zonë rurale sesa për kremtimin në mënyrë festive të 28 nëntorit. Më shumë karakter festiv i jepet kur zbret në Rinas një ekip i huaj futbolli sesa këtij evenimenti kulmor të historisë së kombit tonë. Më ceremoniale bëhet një promovim libri me autor të huaj që na stërkeq memorien tonë historike sesa një simpozium historik, apo debat shkencor për historinë e kombit tonë.
* * *
Analizuar nga ana përmbajtësore, më 28 nëntor nuk ishte organizim, por çorganizim, përfaqësuesit e politikës, qeverisë dhe shtetit ngjanin me një garnizon të shpartalluar. Pra si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja festimi i përvjetorit të pavarësisë ishte për të ardhur keq. Qoftë edhe për një ditë të vetme, mungoi paqtimi politik, serioziteti institucional, dinjiteti shtetëror, nuk pati mesazhe për unitet, por pati me tepri qortime, akuza, sharje, baltosje, fyerje, cinizëm. Si të thuash, antagonizmat politike u thelluan, si rrjedhojë konflikti  u përshkallëzua. Më 28 Nëntor, gjeografia e konfliktit u zgjerua përtej Tiranës. Maxhoranca dhe opozita sikur të ishin dy palë ndërluftuese gjuanin me topa balte: njëri në Tiranë e tjetri në Vlorë. Opozita dhe maxhoranca i kaluan të gjitha caqet e përplasjeve dhe mospajtimeve politike. 28 Nëntori duhej të ishte kufiri që në rrethanat e evropianizimit të vendit, askush nuk guxon ta kalojë atë. Por, në Shqipëri politika ka hyrë në hullinë e marrëzisë. Në përvjetori e shpalljes së pavarësisë opozita dhe maxhoranca promovuan fundin e një antagonizmi dhe fillimin e një lufte të egër politike.
* * *
Në këto kushte nuk mund të flitet për arsyetim logjik, por thjeshtë dhe vetëm për gjakim pushteti. Ky lloj gjakimi nuk ngjan as në botën e tretë. Ç’është më kryesorja ky tip gjakimi nuk përkon as me mendësinë kolektive të shoqërisë së shqiptare. Gjithkush që ka një barrë mend në kokë kupton se në një ditë me peshë historike dhe kombëtare ka etje për komunikim normal politik e njerëzor, pra për paqtim të mendjeve politike, ka etje për seriozitet institucional dhe dinjitet shtetëror. Vetëm tek në ndodh instrumentalizimi i datave historike, sikundër është ajo e ditës së çlirimit.
Në këtë kuadër, ekziston një dallim esencial mes shoqërisë shqiptare dhe kastës politike. E para, ka kuptuar thelbin e demokratizimit, ndërsa politika vazhdon të mbetet në llogoret e etjes për pushtet përmes konfliktualitetit të pashembullt politik, i cili nuk njeh kode të komunikimit politik e njerëzor. Pra, politika shqiptare nuk njeh normë, standard, etikë, profesionalizëm, përgjegjësi politike, publike, institucionale shtetërore dhe kombëtare. Nëse do të ishte ndryshe, 28 Nëntori duhej kuptuar si moment reflektimi për politikën dhe politikanët tanë, të cilët gjithherë janë të prirë të sillen si padronë që nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk japin llogari para sovranit. As në shoqëritë parademokratike nuk ndodhin marrëzi të kësaj natyre ku gjuha e urrejtjes vlon edhe në ditën e festës kombëtare.
Pa dyshim, kjo gjuhë e përçudnuar, e cila nuk ka lidhje me demokracinë, as me sistemin e ri të vlerave që pretendojmë të ngremë është reflektuar edhe në hapësirat e tjera shqipfolëse. Në Kosovë, elitat politike dhe institucionale e kaluan festën e kombit të fshehur pas gishtit të shtetit të ri, ndërkaq shqiptarët e Maqedonisë u rrasën në një lagje të Shkupit duke e minimizuar peshën e kësaj feste. Pa dashur të amnistojmë mosseriozitetin e hapësirave të tjera shqiptare, Tirana mban peshën më të madhe të fajit. Fundja, politika dhe institucionet shtetërore të Tiranës kanë përgjegjësi morale, politike, historike dhe kombëtare jo thjeshtë dhe vetëm për kufijtë zyrtare, por për të gjitha pjesët e kombit shqiptar. Por, si gjithherë edhe këtë radhë imazhi shtetëror dhe kombëtar u dëmtuan nga vetë shqiptarët. E pra, 28 Nëntori fatkeqësisht dha një mesazh aspak dinjitoz: një komb i shkapërderdhur, politikanët e të cilit nuk shqetësohen për fatet e tij, historinë, kulturën, të ardhmen dhe perspektivën evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›