Sulmi ndaj News24, Tedi Blushi: Edi Rama ta harrojë se mund ta nënshtrojë apo ta rrëzojë median e lirë
Pas sulmit të kryeministrit Edi Rama ndaj televizionit News 24, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar duke dënuar atë që e cilëson si një kalvar të gjatë dhune dhe presioni nga pushteti ndaj gazetarëve.

Në reagimin e tij, Blushi vlerëson qëndresën e gazetarëve dhe stafit të News 24, duke theksuar se televizioni ka vijuar punën pavarësisht kërcënimeve, dhunës dhe vështirësive me të cilat, sipas tij, është përballur ndër vite.
Ai ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se kërcënimet nuk mund ta nënshtrojnë televizionin dhe as ta detyrojnë të heqë dorë nga pavarësia editoriale.
Reagimi i plotë:
Në këto orë dhe ditë vendimtare për çlirimin e Shqipërisë, NEWS 24 qëndron me kurajë dhe dinjitet në anën e lirisë dhe të së vërtetës, përkrah atyre pak mediave të lira që, mes sakrificash të shumta, kanë mbijetuar këto vite përballë dhunës dhe presionit kriminal të pushtetit.
NEWS 24 nuk u përkul përballë tritolit, dhunës, rrahjeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, gjobave arbitrare të tatimeve apo uzurpimit brutal të godinës.
Asnjë nga këto akte kriminale nuk e ka shuar zërin e saj dhe as nuk do ta shuajë.
Me kërcënime, Edi Rama ta harrojë se mund ta nënshtrojë apo ta rrëzojë NEWS 24.
Liria e medias nuk mposhtet me dhunë dhe e vërteta nuk heshtet dot me presion.
Pas një kalvari të pandërprerë dhune dhe përpjekjesh për t’i rrëmbyer pavarësinë, NEWS 24 ka qëndruar në këmbë dhe do të vijojë të jetë një dritare lirie, një zë i pavarur dhe një dëshmi e gjallë se rruga e vështirë e zgjedhur në mbrojtje të fjalës së lirë është rruga e dinjitetit dhe e përgjegjësisë publike.
Mirënjohje dhe respekt për profesionalizmin, kurajën dhe qëndresën e gazetarëve dhe të gjithë stafit të NEWS 24, të cilët, pavarësisht presioneve dhe vështirësive, vijojnë të mbrojnë fjalën e lirë dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
Një media që nuk përkulet përballë joshjeve apo dhunës së pushtetit është më shumë se një redaksi, është një garanci për triumfin e LIRISË.