E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi në Bengaz, Arvizu falenderon shqiptarët për mbështetjen

Ambasadori i SHBA-së i akredituar në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka ripërsëritur dhe njëherë qëndrimin e Presidentit Obama dhe Sekretares Klinton lidhur me sulmin në Bengaz, “Refuzojmë të gjitha përpjekjet për të denigruar besimet fetare të të tjerëve. Por për këtë lloj dhune të pakuptimtë nuk ka absolutisht asnjë justifikim. As edhe një të vetëm. Bota duhet të qëndrojë bashkë për t`i hedhur tej këto akte brutale pa ekuivok".
 

Këto komente ai i bëri në përgjigje të mesazheve të ngushëllimit në adresën e tij në Facebook, duke shprehur dhimbjen dhe duke i falenderuar për solidarizimin dhe mbështetjen për këtë ngjarje të trishtë.
 

“U preka shumë pasi lexova mesazhet e shumta të ngushëllimit dhe keqardhjes nga miqtë tanë shqiptarë mbi tragjedinë në Libi. Disa prej nesh në Ambasadën Amerikane në Tiranë kanë punuar me Ambasadorin Stivens e viktimat e tjera që u vranë në Libi ose i njihnin ata. Ata ishin kolegë, miq, dhe pjesë e familjes së madhe të atyre amerikanëve të përkushtuar, të cilët ndihen të nderuar e të privilegjuar që i shërbejnë vendit tonë jashtë kufijve” shprehet Arvizu.
 

“Nga të gjitha komentet këtu në Facebook, me e-mail, nga krerët e shtetit tuaj e qytetarët e zakonshëm, është e qartë që Shqiptarët bashkohen me vendosmëri me amerikanët në këtë kohë të vështirë. Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane në Tiranë jemi shumë mirënjohës për mendimet, lutjet dhe mbështetjen tuaj” përfundon Arvizu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›