E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në Kuvend për Bypass-in e Fierit

Deputetët e opozitës akuzuan qeverinë për vonesat e shumta në këtë drejtim, duke theksuar se punimet kanë më shumë se 5 vite që kanë filluar dhe nuk dihet ende se kur do të mbarojnë. Ata shprehën gjithashtu shqetësimin për rritjen e kostos së punimeve. “Kostot vazhdojnë të rriten me miliona euro. Sistemi i ujërave kulluese mungon fare në të dyja anët e autostradës. Familje të tëra e kanë të kufizuar, ose nuk kanë fare tokë. Kompensimi juaj, lëmoshë për fermerin”, deklaroi deputeti socialist Arion Muçaj.

Kryeministri Sali Berisha, në reagim, tha se Partia Socialiste duhet të pendohet për qëndrimet e saj për këtë nyje nevralgjike siç e konsideroi ai, që do të lidhë qendrën e Shqipërisë me jugun. “Jam sot këtu për të shprehur kënaqësinë time që Parlamenti voton sot një nga sistemet më nevralgjike të sistemit të autostradave, segment që lidh Shqipërinë Qëndrore me atë Jugore. Një nyje jetike për autostradën Levan-Vlorë dhe atë Levan- Tepelenë. Projekti i këtij By Pass-i u modifikua për shkak të studimeve të cilat zbuluan se kishte rrënoja të Apolonisë. Me projektin e dytë është shmangur çdo lloj implikacioni me këtë qytet që në kohën e vet ishte ndër më të famshmit e Evropës ndaj dhe thirrja ime është ta votojmë unanimisht sepse rrugët po ndërtohen sepse janë ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë, në të cilat udhëtojnë sot shqiptarët si qytetarët e vendeve të tjera”, deklaroi Berisha.

Kreu i qeverisë tha Partia Socialiste në vijimësi ka qenë kundër ndërtimit të rrugëve, për përfitime politike. “Në të gjitha këto km rrugë ka qenë vota kundër e opozitës, po ajo që më ka çuditur më shumë ka qenë vota juaj kundër tunelit të Elbasanit dhe autostradës Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë. Ju votuat kundër shtesave sepse për ju qytetarët e Vlorës, Gjirokastrës dhe Tepelenës duhet ë vinin gropë pas gropë në Tiranë, sepse ju i imagjinoni ato të kthehen në vota. Pendesa është tipar i një njeriu të qytetëruar. Pse nuk bëheni pjesë e sukseseve dhe ndryshimit”, tha Berisha.

Edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha se nuk duhet të spekulohet në këtë drejtim. “Më vjen mirë që deputetet e PS kanë vendosur ta votojnë. Bëhet fjalë për një segment 22 kilometrash, me tre ura, dhe 60 torbino, me katër kryqëzime dhe 16 kalime dhe nënkalime. Kemi 21 milionë kursim nga tenderi. Mos thoni gënjeshtra, se po vijnë zgjedhjet dhe nuk ju bën mirë”, deklaroi Olldashi. /Start/

                                                                                             2012-09-13 11:55
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›