E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi ne Frankfurt hakmarrje per luften. Prokurori Aridit iu bllokua arma

Gjykata në Frankfurt ngre akuzat për Arid Ukën ndërsa prokurorët federalë zbardhin në media detajet e sulmit të dy ditëve më parë. Mbi autorin e  vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, rëndojnë pesë akuza, bënë të ditur autoritetet gjermane.

"Prokuroria  lëshoi  një urdhërarresti kundër  21- vjeçarit Arid U. i cili jeton në Frankfurt mbi Main. Ai akuzohet për vrasje  dhe tentativë për  vrasje si dhe për plagosje të qëllimshme. I dyshuari  akuzohet për  veprim dashakeq, të paramenduar  kundër ushtarëve amerikanë pa ndonjë arsye evidente" tha prokuror federal Rainer Griesbaum.

Prokurori gjerman sqaroi dhe detaje të sulmit. Sipas tij revolja e përdorur nga i dyshuari Arid Uka, nga Kosova, ishte bllokuar gjatë sulmit, duke parandaluar humbjen e jetëve, të tjera.

I dyshuari Arid Uka, 21 vjeçar, kishte refuzuar të fliste kur formalisht ishte akuzuar para gjyqtarit për vrasje dhe përpjekje për vrasje, por kishte bërë deklarata të gjata në polici, pak kohë pas sulmit të së mërkurës, theksoi Griesbaum sipas të cilit Arid Uka, u kishte thënë autoriteteve se ai kishte shkuar në aeroport për t’i vrarë amerikanët “si hakmarrje për misionin amerikan në Afganistan”.

Kur ai e ka parë autobusin me 15 persona të armatosur, të parkuar jashtë Terminalit 2, ai i është afruar një personi të armatosur dhe nën pretekstin e kërkimit të cigares, e ka pyetur nëse të armatosurit ishin në rrugën e tyre për në Afganistan. “Kur ushtari tha po, ai e qëlloi atë nga prapa në kokë”, deklaroi Griesbaum.

Ushtari i vrarë ishte 25 vjeçar. Arid Uka më pas hipi në autobus dhe duke bërtitur “Zoti është i Madh”, vrau  shoferin, e qëlloi mbi  një ushtar 25 vjeçar dhe një tjetër 21 vjeçar.

“Pastaj, ai u përpoq ta qëlloj një 22- vjeçar”, deklaroi  Griesbaum dhe shtoi se “ai e mbështeti revolen në kokën e tij dhe e tërhoqi këmbëzen dy herë, por revolja u ndal dhe nuk pati të shtëna”.

Në revole ishin edhe gjashtë plumba, por bllokimi i saj i parandaloi të shtënat e tjera. Prokurori Griesbaum tha se incidenti tregon se ekziston rreziku serioz edhe nëse ekstremistët nuk janë pjesë e rrjetit radikal.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›