Sulmi në Gaza, ndërkombëtarët kërkojnë armëpushim

Mijëra arabë nga Jordania, Libani dhe Siria, kanë protestuar ndaj sulmeve të përgjakshme të Izraelit mbi Rripin e Gazës. Numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në rreth 206 së fundmi, ndërsa 400 të tjerë janë plagosur. Liderët e vendeve arabe i kanë dënuar këto sulme dhe kanë kërkuar një samit urgjent të shteteve arabe për të diskutuar mbi situatën. Të dyja palët, si izraelitët edhe palestinezët kanë deklaruar se janë të përgatitur që të vazhdojnë sulmet. Ndërkohë që kanë ardhur edhe reagimet ndërkombëtare për situatën e krijuar. Presidenca franceze e BE-së kërkoi ndalimin e menjëhershëm të bombardimeve izraelite në Gaza dhe të sulmeve me raketa nga Gaza drejt Izraelit, duke dënuar përdorimin e tepruar të forcës. Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, kërkoi ndalimin e menjëhershëm të sulmeve. Bashkimi Europian bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Havier Solana, ka shprehur shqetësimin e tij për gjakderdhjen. "Jemi shumë të shqetësuar për ngjarjet në Gaza. Bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe iu kërkojmë të gjithëve të tregojnë vetëpërmbajtje", njoftoi një zëdhënës i përfaqësuesit të Bashkimit Europian për politikën e Jashtme, Havier Solana. "Duhet bërë gjithçka për të ripërtërirë armëpushimin", shtoi ai. Ndërsa Rusia i bëri thirrje Izraelit të ndërpresë operacionin e shkallës së gjerë kundër Gazës dhe Hamasit t'u japë fund sulmeve me raketa kundër territorit izraelit. Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxitën Izraelin të përpiqet që sulmet kundër Hamasit në Rripin e Gazës të mos shkaktojnë viktima civile, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë Hamasin se duhet të ndërpresë sulmet me raketa në mënyrë që të ndalojë dhuna. Ndërkohë që edhe Vatikani shprehet i trishtuar për sulmet izraelite në Gaza që shkaktuan vdekjen e 206 personave. "Sulmi i sotëm është një goditje e rëndë për Hamas-in. Urrejtja do të rritet dhe shpresat për paqe do largohen", tha zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Federiko Lombardi. Konferenca Islamike i ka dhënë dënim të rëndë sulmit Izraelit në Gaza."Masakra e fundit në Izrael është një krim lufte dhe tregon se sa pak respekt ka shteti hebarik për ligjet ndërkombëtare", ka thënë presidenti Ekmeleddin Inhasanoglu. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki -moon ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të dhunës në rripin e Gazës. "Jam shumë i shqetësuar nga dhuna dhe lumi i gjakut në Gaza", u shpreh ai. Përfaqësuesi i Katërshes për Lindjen e Mesme, Tony Blair kërkoi armëpushimin e menjëhershëm për konfliktin izraelito-palestinez dhe për më tepër një strategji të re për Rripin e Gazës.''Për ngjarjet e tmerrshme dhe humbjet tragjike të qënieve njerëzore në Gaza, nevojitet menjëherë një armëpushim pasi sulmet me raketa po vrasin civilët izraelitë dhe goditjet e izraelitëve në Gaza të ndalojnë pasi vuajtja e popullatës, që është më e rëndësishmja, duhet të përfundojë'', deklaroi Blair në një komunikatë. Edhe Sekretarja e Departamentit amerikan të Shtetit, Condoleezza Rice fajësoi sot Hamasin për shkeljen e armëpushimit me Izraelin, i cili kreu një seri sulmesh ajrore duke shkaktuar vdekjen qindra palestinezëve.''SHBA dënon ashpër sulmet e përsëritura me raketa dhe granata kundër Izraelit dhe e konsideron Hamasin përgjegjës për shkeljen e armëpushimit si edhe për rifillimin e dhunës në Gaza'', tha Rice me anë të një komunikate.''Armëpushimi duhet të vendoset menjëherë'', shtoi Rice. Lideri i qeverisë islamike të Hamasit në Rripin e Gazës u deklaroi palestinezëve se Gaza nuk do t'i dorëzohej kurrë Izraelit, çfarëdo lloj force që të përdorë ky i fundit kundër këtij territori.''Ne nuk do ta dorëzojmë tokën tonë, ne nuk do ta ngremë kurrë flamurin e bardhë dhe nuk do t'i përulemi askujt, përveç se Zotit'', deklaroi Ismail Hanieh përmes një letre drejtuar palestinezëve, pas sulmeve të sotme izraelite që kanë shkaktuar deri tani vdekjen e 205 palestinezëve. Ndërkohë që Lideri i qeverisë islamike të Hamasit në Rripin e Gazës u deklaroi palestinezëve se Gaza nuk do t'i dorëzohej kurrë Izraelit, çfarëdo lloj force që të përdorë ky i fundit kundër këtij territori.''Ne nuk do ta dorëzojmë tokën tonë, ne nuk do ta ngremë kurrë flamurin e bardhë dhe nuk do t'i përulemi askujt, përveç se Zotit'', deklaroi Ismail Hanieh përmes një letre drejtuar palestinezëve, pas sulmeve të sotme izraelite që kanë shkaktuar deri tani vdekjen e 205 palestinezëve.Por sipas lajmeve të fundit avionë ushtarakë izraelitë vazhdojnë sulmet kundër Gazës, nën kontrollin e Hamasit, edhe pse ka rënë mbrëmja, duke goditur një fonderi si edhe zona të tjera në jug të rripit bregdetar.''Operacionet po vazhdojnë dhe do të zgjasin derisa të jetë e domosdoshme'', thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.