E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi në Madrid,dënohet marokeni

Një maroken është dënuar me 20 vjet burg ditën e enjte pas një gjyqi një ditor, në të cilin ai fajësohej për pjesëmarrje në skuadrën e përfshirë në sulmet me bomba në Madrid, që vranë rreth 200 persona në vitin 2004. Abdelilah Ahriz është gjykuar në bazë të një marrëveshjeje të vitit 1997 mes Marokut dhe Spanjës, që lejon mbajtjen e seancave gjyqësore në qytetin Sale, pranë kryeqytetit Rabat. Në seancën gjyqësore ishte i pranishëm edhe Angel Lorente, një vëzhgues nga Gjykata e Lartë e Spanjës. 31 vjeçari Ahriz u arrestua në Marok, në qershor të vitit 2008, pas një kërkese të autoriteteve spanjolle në dhjetor 2007. Ai u konsiderua si i dyshimtë, sepse AND-ja e tij ishte gjetur në një apartament në njërën nga dy zonat e Madridit, ku qëndronin terroristët përpara sulmit. Ahriz kërkoi pafajësinë dhe avokati i tij tha se do të apelonin vendimin e gjykatës, sepse sipas tij, klienti i tij ishte shpallur edhe më parë i pafajshëm në Marok ndaj akuzave për terrorizëm. "Ne e respektojmë vendimin e gjykatës. Por ne kërkojmë një seancë tjetër dhe do ta apelojmë verdiktin. Shpresojmë që gjykata e apelit do të tregohet më e drejtë, pasi ndaj Abdelilah Ahriz është provuar edhe më parë pafajësia ndaj akuzave për terrorizëm", tha avokati mbrojtës Abdelatif Nouari. Sulmet në Madrid vranë rreth 200 persona dhe plagosën të paktën 1 800 të tjerë në vitin 2004.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›