Zannier: UNMIK-u, rol më politik në Kosovë

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier deklaron se raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, me të gjitha elementet e tij, po ecën drejt zbatimit dhe sipas tij, EULEX-i, pas shtrirjes në të gjithë Kosovën duhet të marrë përgjegjësitë në fushën e policisë, në bashkëpunim me policinë e Kosovës, por edhe në fusha të tjera. Zannier tha se në mungesë të një dialogu të drejtpërdrejtë mes palëve rreth zbatimit të raportit, do të ketë sërish një proces lehtësues ndërmjetësimi në nivel teknik. Shefi i UNMIK-ut u shpreh se diskutimet për specifikat e fushave të ndryshme, duhet të zhvillohen në nivel të ekspertëve të të dyja palëve, duke marrë parasysh edhe mendimet e të gjithëve. Zannier, i cili mori mandatin në qershor të këtij viti, ka ndërmjetësuar një marrëveshje të OKB-së me Beogradin zyrtar, e cila u përfshi në raportin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon, por që u kundërshtua nga autoritetet në Prishtinë. Këto të fundit kanë kërkuar që pas shtrirjes së misionit të EULEX-it, mandati i UNMIK-ut të pushojë. Por Lamberto Zanier thotë se për aq kohë sa të ekzistojë Rezoluta 1244 dhe për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit të besojë se duhet të ketë prani, UNMIK-u do të vazhdojë të mbetet në Kosovë. Sipas tij, misioni i OKB-së do të vazhdojë procesin e rikonfigurimit, ndërkohë që roli i tij do të shndërrohet në një rol më tepër politik.