Greqi, mësuesit, mjekët dhe transporti në grevë
Demonstruesit grekë hodhën të enjten bomba molotovë dhe gurë ndaj policisë jashtë parlamentit, ndërkohë që sindikatat bllokuan fluturimet dhe mbyllën zyrat publike në ditën e 13 të protestave antiqeveri, që kur policia vrau një adoleshent. Demonstruesit duke valëzuar flamuj të kuq shtynë policinë, e cila formoi një kordon rreth parlamentit, dhe u përpoqën të digjnin një pemë të krishtlindjeve në sheshin jashtë saj. Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. "Të rrëzohet qeveria e gjakut, e varfërisë dhe privatizimeve", shkruhej në një nga pankartat që mbanin afro 7 000 marshues në protestën kundër reformave sociale dhe ekonomike, dhe dështimit të qeverisë për të mbrojtur grekët nga kriza ekonomike globale. Protestuesit kërkojnë nga qeveria që të ndryshojë politikën e saj sociale dhe ekonomike. Ndërkohë, kontrollorët e trafikut ajror janë punonjësit e fundit nga sektori publik që kanë nisur grevën. Greva ndërpreu për disa orë fluturimet nga dhe drejt aeroportit të Athinës. Shërbimet e transportit urban u ndërprenë, ndërsa mjekët dhe mësuesit u larguan nga puna, duke risjellë në kujtesë grevën kombëtare 24 orëshe të javës së kaluar. Sindikatat, studentët dhe mësuesit zhvilluan protesta në qytetin verior Selanik dhe ishullin Kretë. Protestuesit shkaktuan qindra milionë euro dëme vetëm në Athinë dhe kanë tronditur qeverinë konservatore jopopullore të Karamanlisit. "Nuk kemi mbaruar vetëm sepse janë krishtlindjet. Ne do të vazhdojmë dhe do të intensifikojmë përpjekjen tonë në vitin e ardhshëm", u shpreh Statis Anestis, zëdhënësi i sindikatës së sektorit privat GSEE që mori pjesë në manifestim. Gjatë valës së protestave në Greqi, rreth 70 persona janë lënduar dhe 400 janë arrestuar. Qindra dyqane dhe banka janë plaçkitur dhe shkatërruar. Ndërkohë, një polic është paditur për vrasjen e Aleksandros Grigoropulos. Teksa, kryeministri Kostas Karamanlis i ka hedhur poshtë thirrjet për të lënë postin.