Sulmi taleban në Pakistan vret 8 veta

Një shpërthim me bombë në Pakistanin veriperëndimor vrau tetë njerëz dje, përfshirë tre anëtarë të personelit ushtarak amerikan, të cilët po shkonin në ceremoninë e hapjes së një shkolle vajzash, që u rinovua me ndihmën amerikane.
Zyrtarët pakistanezë thanë se të paktën tre nxënëse dhe një ushtar vendor u vranë në sulm dhe se më shumë se 60 të tjerë u plagosën. Talebanët morën përgjegjësinë për shpërthimin.
Shefi i policisë së distriktit, Mumtaz Zaren, i tha “Zërit të Amerikës” se militantët aktivizuan bombën, ndërsa autokolona e ushtarëve po kalonte pranë shkollës në distriktin Dir i Poshtëm, në afërsi të Luginës Swat, zonë e njohur si pikë e fortë për Talebanin.
Një deklaratë nga ambasada amerikane në Islamabad tha se personeli ushtarak amerikan ishte pjesë e një programi stërvitor me trupat paraushtarake në veriperëndim.