E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa, bust gjigant për Berluskonin

Në punën e sapoprodhuar, Xhafa na paraqet një bust gjigant skulpturor, ku materiali kryesor i përdorur është rëra, ndërsa Berluskoni ngjan me një zot apo si imazhi i një Bude.

Një ekspozitë e veçantë do të çelet në Gonthenburg të Suedisë nga artisti shqiptar Sislej Xhafa. Në një punë të realizuar posaçërisht për galerinë “Roda Sten”, Xhafa prezanton Kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, në një bust gjigant. Jo rastësisht ka zgjedhur këtë figurë politike dhe jo rastësisht e thërret në mënyrë të afërt Silvio.

“2705 puthje” është një prezantim solo i artistit, i njohur për punët e tij provokuese që shprehin qëndrime ndaj fenomeneve të caktuara të shoqërisë. Në këtë rast, artisti heton paradigmën e re, të zbuluar nga situata politiko-ekonomike në Itali, ku shteti është reduktuar në përmbushës të dëshirës së një njeriu. Në tekstin shoqërues të ekspozitës, Slavoj Zizek vë në dukje se "Berluskoni është një figurë e rëndësishme dhe Italia një laborator eksperimental, ku e ardhmja jonë është duke u përpunuar.

Interesante është të vihet në dukje aftësia e Xhafës për të paraqitur para nesh jo vetëm aspekte vizuale të çështjeve aktuale, por na shfaq një largpamësi të asaj që do të vijë në Itali dhe në pjesën tjetër të Europës: rritja dhe zgjerimi i kapitalizmit autoritar”. Në punën e sapoprodhuar, Xhafa na paraqet një bust gjigant skulpturor, ku materiali kryesor i përdorur është rëra, ndërsa Berluskoni ngjan me një zot apo si imazhi i një Bude.

Me një ironi dhe sarkazëm të qartë, është e natyrshme që përballë këtij busti gjigant shumë shikues do të qeshin. Por përtej kësaj, vepra e Xhafës është një thirrje për vetëdijen e njerëzve, për të mos paguar një haraç të panatyrshëm e për të mos lejuar që figura të tilla të rriten në të tilla përmasa. “2705 puthje” është e para e një serie veprash që galeria “Roda Sten” do t’u ofrojë vizitorëve të saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›