Sulmohen zyrtarë të EULEX-it dhe OSBE-së në veri
Dy zyrtarë të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, EULEX dhe OSBE, sulmohen fizikisht nga grupi i 5-6 personave në veri të Mitrovicës.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 21.15, në rrugën “Vllade Çetkoviq”, në veri të Mitrovicës.
Viktimat kanë njoftuar autoritetet policore, se të njëjtit ishin duke qarkulluar në këmbë në momentin kur fillimisht një person iu ishte drejtuar në gjuhën serbe duke kërkuar nga ta që të identifikoheshin se nga po vinin.
Pas refuzimit të tyre për bindje ndaj kërkesave të të dyshuarit, pesë persona të tjerë të dyshuar, të cilët i erdhën në ndihmë të dyshuarit të parë, kanë sulmuar viktimat e tyre fizikisht.
Nuk është raportuar për lëndime të shkaktuara ndaj ankuesve të këtij rasti.
Besim Hoti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë, ka thënë se rasti është evidentuar si vepër penale “rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare”, ndërkohë që hetimet e këtij rasti do të ndiqen nga hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.