Sulmohet Xhakarta/ Shpërthim i dyfishtë, 9 të vrarë

Të paktën 9 persona kanë gjetur vdekjen dhe shuëm të tjerë janë plagosur si pasojë e dy shpërthimeve simultane që ndodhën në dy prej hoteleve më luksoze të mëdha të kryeqytetit indonezian, Xhakarta. Shpërthimet e fuqishme janë regjistruar në hotelin Marriot dhe Ritz-Carlton gjatë orëve të para të së premtes. 6 prej viktimave humbën jetën në hotelin Mariot ndërsa viktimat e tjera janë regjistruar në hotelin ritz Carlton. Ndër viktimat shumica janë shtetas të huaj. Numri i të plagosurëve besohet se i ka kaluar 50. Dy hotelet , Ritz Carlton dhe Marriot, ndodhen në qendër të zonës tregëtarë të qytetit. Indonezia në të kaluarën është goditur nga një sërë sulmesh me bomba nga grupe të lidhura me Al Kaeda-n , përfshirë edhe shpërthimin e vitit 2002 në një klub nate në ishullin Bali kur u vranë rreth 200 vetë. Militantët islamistë nga organizatat Jemah Islamiah, janë fajësuar më parë për sulmet e shumta të ndodhura gjatë periudhës 2002- 2005 në Indonezi. Që prej atëherë janë arrestuar shumë militantë ekstremistë. Ndërkaq një raportim i sigurisë australiane tha se kjo organizatë mund të fshihet pas këtyre sulmeve, edhe pse asgje nuk është konfirmuar deri tani për këtë ngjarje, dhe askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet. Indonezia prej disa vitesh nuk ishte përfshirë nga sulmet dhe zgjedhjet presidenciale të këktij muaji kaluan shumë qetësisht, duke shënuar progres për kombin me popullsinë më të madhe myslimane në botë. Presidenti i ri i sapozgjedhur në Indonezi, vizitoi menjeherë vendin e ngjarjes. Në vijim, sipas BBC, ka patur edhe një shpërthim të mëpasshëm disa orë më vonë në Jakarta, por nuk është saktësuar shkaku. Po sipas BBC-së, ekipi i futbollit të Manchester United ishte planifkuar që të qëndronte në hotelin Ritz Carlton të shtunën. Agjensia e lajmeve PA raporton se shpërthimi ndoshta mund të ketë lidhje me ardhjen e tyre. Policia e cila ka rrethuar zonën, thotë se është gjetur gjithashtu edhe një tjetër bombë e pashpërhtyer në hotelin Marriott. Të plagosurit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa besohet se bilanci i viktimave mund të rritet gjatë orëve në vijim.