E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet treni Podgoricë-Elbasan

Sulmohet treni i mallrave i linjës Podgoricë Elbasan duke tentuar të vidhen rreth 2 ton skrap. Ka qenë paraditja e së hënës kur trenit të mallrave të ngarkuar me skrap i janë vendosur barrikada në segmentin hekurudhor pranë ish-kombinatit të drurit në Shkodër me qëllim ndalimin e tij. Pasi është ndaluar, personat që kanë bërë këtë veprim kanë hipur në vagona dhe kanë hedhur në tokë jashtë linjës rreth 2 ton skrap. Punonjësit e hekurudhës kanë lajmëruar policinë e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa autorët janë larguar pa mundur të marrin skrapin e hedhur nga treni.

Sipas drejtorit rajonal të hekurudhës në Shkodër, Tonin Trupa, ky fenomen është bërë i shpeshtë dhe nuk po gjen zgjidhje përfundimtare. Treni që u tentua të grabitej kishte të ngarkuar 1700 ton skrap me destinacion Elbasanin. Mjaft firma që përdorin trenin për transport të mallrave të tillë kanë paralajmëruar se do i ndërpresin kontratat.

Për shkak të lëvizjeve demografike dhe popullimit të zonës afër hekurudhës, në këtë segment shpejtësia e trenit ulet deri në 5 km në orë, për të ruajtur banorët. Pengimi në mënyra të ndryshme i trenave të ngarkuar me skrap, vjedhja e skrapit, vjedhja e aksesorëve të hekurudhës etj, janë dëme të konsiderueshme për të ka theksuar Trupa. Mësohet se janë identifikuar tre persona që janë autorë të ngjarjes së të hënës me trenin e mallrave por akoma nuk janë ndaluar. Në raste të tjera ka pasur të ndaluar nga polica por ato janë lënë të lire për shkak të moshës së mitur. Sipas policisë, por dhe punonjësve të hekurudhës, të miturit kryesisht banorë të zonave nga kalon linja hekurudhore shtyhen nga të tjerë persona të rritur për të bërë veprime të tilla, pasi dhe kur arrihet të ndalohen i  shmangen dënimit. A. DUSHI 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›