E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet vetura e EULEX-it me shishe të birrës

Një automjet zyrtar, me shenja të dukshme të komponentës së EULEX-it është sulmuar me shishe birre, në qendër të qytetit në veri të Mitrovicës.

Rasti i sulmit dhe i dëmtimit të veturës është regjistruar, pak minuta para mesnatës, rreth orës 23:50min, ndërsa zyrtarët e komponentës së EULEX-it, kanë njoftuar Policinë e Kosovës, lidhur me rrethanat e paraqitura.

“Sipas deklaratës së siguruar nga Policia e Kosovës, thuhet se zyrtarët e EULEX-it, derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare të patrullimit në rrugët e qytetit në veri, përkatësisht në rrugën “Mbreti Petër”, persona të panjohur, kanë hedhur shishe xhami (shishe birre), mbi njërën nga dy veturat në lëvizje të EULEXit”, njofton zyra për marrëdhënie me publikun e Policisë së Kosovës.

Zyrtarët e EULEX-it, janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë drejtuar në stacionin policor veri për regjistrim të rastit.
Policia informon se janë regjistruar dëme materiale në xhamin e parmë nga ana e djathtë e automjetit zyrtar të EULEX-it.
“Deri më tani, nuk është raportuar për identifikim dhe arrestim të personave të dyshimtë të përfshirë në këtë akt kriminal. Nuk është raportuar për lëndime të shkaktuara ndaj zyrtarëve të EULEX-it”, thuhet tutje në komunikatë.

Rasti i sulmit është regjistruar në stacionin policor në veri të Mitrovicës, ndërsa pas kontaktit me prokurorin publik të prokurorisë themelore në Mitrovicë, rasti është kualifikuar si vepër penale “rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare” të paraparë sipas nenit 173 të Kodit Penal të Kosovës. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›