Sulmuesi vetëvrasës jetoi në Britani
Fundamentalisti islamik, Tajmur al-Abdali (28), i cili të shtunën mbrëma aktivizoi një mjet shpërthyes në një rrugë shumë të frekuentuar në Stockholm, gjatë dhjetë vjetëve të kaluara jetoi në Britaninë e Madhe, ku i përforcoi botëkuptimet e tij radikale.
Tajmur al-Abdali diplomoi në vitin 2004, në Badfordshire University, ndërkohë që kohën më të madhe gjatë dekadës së kaluar e kaloi në qytetin Luton, i cili njihet prej kohësh si një bastion i fuqishëm i terrorizmit dhe i islamit radikal.
Pas diplomimit Abdali punoi dhe jetoi aty, bashkë me gruan dhe fëmijët.
Në këtë qytet që ndodhet në rajonin Badfordshire, jetojnë rreth 20,000 myslimanë. Al-Abdali edhe në të kaluarën vihej në lidhje me ekstremistët e njohur islamikë të qytetit. Banorët myslimanë të asaj zone vitin e kaluar ndërprenë marshimin festiv të ushtarëve britanikë që ishin kthyer nga Afganistani.
Në kërkim të dëshmive të reja për rastin, policia britanike filloi të dielën mbrëma bastisjen e detajizuar të shtëpisë së al-Abdalit, në të cilën bashkë me fëmijët edhe më tej jeton gruaja e tij, e cila po ashtu përkrahë qëndrimet ekstremiste. (AFP)