E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani dhe “ndërkombëtarët” në Gjenevë, së bashku pas një viti

Bërthamorja

Në Gjenevë, të hënën, zhvillohen bisedimet e para bërthamore mes Iranit dhe anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë pas një viti. Bisedimet zhvillohen vetëm një ditë pasi Irani njoftoi se kishte prodhuar porcionin e parë të uraniumit të nxjerrë në vend për pasurim. Delegacionin perëndimor e udhëheq shefja e BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, kurse atë iranian, kryenegociatori Saed Jalili. Katër raunde sanksionesh të OKB-së janë drejtuar ndaj programit bërthamor të Iranit. Deri tani, Irani nuk i është përmbajtur rezolutave të OKB-së. Fuqitë perëndimore në takim besojnë se Irani po e ndien presionin, ndaj ka rënë dakord që të nisë bisedimet. Por komuniteti ndërkombëtar dyshon se iranianët thjesht po kërkojnë të fitojnë kohë. Irani këmbëngul se programi i tij ka synime paqësore për të prodhuar energji elektrike, por shumë vende nuk e besojnë dhe dyshojnë se Irani po prodhon armë bërthamore. Arabia Saudite dhe vende të tjera arabe, ashtu si dhe Izraeli, i kanë bërë thirrje Amerikës që t'i shkatërrojë objektet bërthamore të Iranit. Palët janë të përgatitura të mendojnë pasojat potencialisht katastrofike të një lufte tjetër të drejtuar nga Amerika në Lindjen e Mesme. Kjo, thotë korrespondenti i BBC-së për Lindjen e Mesme, ngaqë besojnë se rreziku i një Irani me armë bërthamore, është shumë më i madh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›